Shkon në 62 numri i viktimave të tërmetit në Japoni, regjistrohen dridhje të tjera e zjarre
Ekipet e shpëtimit në Japoni po mundohen që të gjejnë ndonjë të mbijetuar pas tërmetit të fuqishëm, përderisa autoritetet kanë paralajmëruar për reshje të dendura shiu e rrëshqitje dheu. Numri i të vdekurve ka shkuar në 62.
Dridhja me fuqi prej 7,5 shkallësh të hënën në prefekturën Ishikawa nxiti valë të cunamit mbi një metër të larta, shkaktoi një zjarr të madh dhe i çau rrugët, raporton gazeta “The Guardian”.
Gadishulli Noto i kësaj prefekture është goditur më së rëndi. Disa qindra ndërtesa janë kapluar nga zjarri e shumë shtëpi janë bërë rrafsh me tokë në disa qyteza. Në pamje satelitore shihet dëmi i madh që është shkaktuar nga tërmeti.
Qeveria rajonale njoftoi të mërkurën se 62 persona ishin konfirmuar të vdekur e mbi 300 të tjerë të lënduar, 20 prej tyre seriozisht. Numri i viktimave pritet që të rritet, përderisa ekipet e shpëtimit po ballafaqohen me dridhje të tjera të tokës e mot të lig gjatë kërkimit nëpër rrënoja.
Më shumë se 31 mijë e 800 persona ndodhen në strehimore, sipas autoriteteve. Mediat japoneze kanë raportuar se dhjetëra mijëra shtëpi janë shkatërruar.
“Më shumë se 40 orë kanë kaluar nga fatkeqësia. Kemi pranuar shumë informata për persona në nevojë për shpëtim dhe ka njerëz që po presin për ndihmë”- tha të mërkurën kryeministri Fumio Kishida pas një takimi të taskforcës për reagim urgjent.
“Përpjekje për shpëtim po bëhen nga autoritetet lokale, policia, zjarrfikësit dhe njësi të tjera operuese, ndërsa numri i personelit dhe i qenve shpëtues është përforcuar”- shtoi ai.
Operacionit për shpëtim i është dhënë urgjencë e posaçme, pasi Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim për reshje të dendura shiu në zonën e prekur nga tërmeti.
Në qytetin bregdetar, Suzu, kryetari Masuhiro Izumiya tha se “pothuajse asnjë shtëpi nuk ka mbetur”. “Rreth 90 për qind e shtëpive [në qytezë] janë të shkatërruara tërësisht ose gati tërësisht... situata është katastrofale”- tha ai.
Një grua që po qëndron në një strehimore në qytezën Shika tha se nuk kishte mundur të flinte për shkak të dridhjeve të tjera të tokës. “Jam frikësuar, sepse nuk dimë se kur do të godasë tërmeti i ardhshëm”- tha ajo.
Gati 34 mijë amvisëri ishin ende pa furnizim me rrymë në prefekturën Ishikawa, tha kompania lokale e furnizimit. Shumë qytete ishin pa furnizim me ujë.