Shkon në 57 numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në Indi, disa të zhdukur
Ekipet e shpëtimit nxorën më shumë trupa të martën, pasi rrëshqitja e dheut në Himalajet e Indisë gjatë fundjavës zuri shtëpi e ndërtesa të tjera, duke lënë të vdekur të paktën 57 persona, ndërsa dhjetë të tjerë janë ende të ngujuar ose të zhdukur, thanë zyrtarët.
Reshjet e dendura, bashkë me ndërtimet e pandërprera, shpesh kanë nxitur vërshime e rrëshqitje dheu vdekjeprurëse në malet e Indisë dhe në Pakistan e Nepal gjatë viteve të fundit. Për reshjet e dendura thuhet se kanë ndikuar ndryshimet klimatike, raporton agjencia “Reuters”.
Dëmet nga rrëshqitja e dheut në Himachal Pradesh të Indisë ishin të rënda, ku strukturat u shemben nën gurë e drurë, rrugët u bënë me gropa dhe pati pengesa rrjetet e rrymës dhe hekurudhave.
“Numri i të vdekurve mund të rritet”- tha kryeministri rajonal i shtetit verior, Sukhvinder Sing Sukhu, përderisa udhëhoqi një ceremoni të heshtur për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Indisë të martën.
Tre trupa të tjerë u nxorën të martën nga vendi i një tempulli që u shemb pas rrëshqitjes së dheut në kryeqytetin rajonal, Shimla, ku 14 persona kanë vdekur nga incidentet e ndërlidhura me të reshurat, tha një zyrtar për menaxhimin e fatkeqësive.
Parashikohet që reshjet e dendura të shiut të vazhdojnë deri të mërkurën në disa pjesë të Himachal Pradeshit dhe në Uttarakhandin fqinj. Të dyja këto shtete pësuan dëme të rënda edhe muajin e kaluar nga reshjet.
