Shkon në 41 numri i të vrarëve nga sulmet raketore ruse në Ukrainë
Rusia e goditi spitalin kryesor të fëmijëve në Kiev me një raketë në pikë të ditës të hënën dhe hodhi raketa të tjera në qytete të tjera të Ukrainës, duke vrarë të paktën 41 civilë në valën më vdekjeprurëse të sulmeve ajrore në disa muaj.
Prindër me foshnja në krahë ecën rrugëve afër spitalit duke qarë e dënesur pas sulmit të rrallë ajror ditën. Dritaret e objektit u thyen e kulmi ra, ndërsa qindra banorë të Kievit po ofronin ndihmë për heqjen e rrënojave, raporton agjencia “Reuters”.
“Ishte e frikshme. Nuk mund të merrja frymë. Po mundohesha ta mbuloja [foshnjën time]. Po mundohesha ta mbuloja me këtë rrobë që ai të mund të merrte frymë” – tha 33-vjeçarja Svitlana Kravchenko.
Presidenti Volodymyr Zelensky, i cili u ndal në Poloni para se të nisej për në Uashington për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, raportoi për 37 të vdekur, përfshirë tre fëmijë. Më shumë se 170 të tjerë u lënduan.
Megjithatë, shifra e përgjithshme nga të gjitha vendet e sulmuara në rajone të ndryshme shkoi në të paktën 41 viktima.
Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, Zelensky tha se mbi 100 ndërtesa ishin dëmtuar, përfshirë spitalin e fëmijëve dhe një qendër materniteti në Kiev, çerdhe fëmijësh, një qendër biznesi e shtëpi.
“Terroristët rusë duhet të përgjigjen për këtë. Të qenët i shqetësuar nuk e ndal terrorin. Ngushëllimet nuk janë armë” – shtoi ai.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se dëme kishte edhe në qytetet qendrore, Kryvyi Rih dhe Dnipro, si dhe në dy qytete lindore./Nacionale