Shkon në 123 numri i të vdekurve nga zjarret në Kili, qindra të zhdukur - NACIONALE

Shkon në 123 numri i të vdekurve nga zjarret në Kili, qindra të zhdukur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vullnetarët në pjesën qendrore të Kilit u munduan që të largonin pjesë të djegura metalike, xhama të thyer e mbetje të tjera të hënën nga lagjet e shkatërruara nga zjarret në natyrë gjatë disa ditëve të kaluara, përderisa zyrtarët e ngritën shifrën e viktimave në 123. Qindra njerëz mbeten të zhdukur.

Zjarret duket se ishin dobësuar të hënën në mëngjes pas përhapjes së madhe nga e premtja në skajin lindor të qytetit Vina del Mar. Rëndë janë goditur edhe dy qyteza të tjera të rajonit Valparaiso, Quilpe dhe Villa Alemana. Presidenti Gabriel Boric tha të dielën se të paktën tre mijë shtëpi ishin djegur në atë zonë, raporton agjencia “Associated Press”.

Edhe dhjetë viktima u shtuan në listën e të vdekurve të hënën pasdite, tha Marisol Prado, drejtoreshë e Shërbimit të Mjekësisë Ligjore në Kili.

Prado tha se shumë trupa ishin në gjendje të keqe dhe vështirë për t’u identifikuar, por shtoi se punëtorët e mjekësisë ligjore do të marrin mostra të materialit gjenetik nga personat që kanë raportuar të afërm të zhdukur.

Kryetarja e qytetit Vina del Mar, Macarena Ripamonti, tha se të paktën 370 njerëz janë raportuar të zhdukur në këtë vendbanim me rreth 300 mijë banorë.

Zjarret kapluan disa lagje që në mënyrë të pasigurt ishin ndërtuar në malet që shtrihen në lindje të qytetit, i cili është i njohur edhe për plazhin e tij.

Zyrtarët kanë lënë të kuptohet se disa nga zjarret në natyrë përreth qytetit mund të jenë nxitur edhe qëllimisht. Moti i thatë, era e fuqishme dhe lagështia e vogël e ajrit e kanë ndihmuar përhapjen më të shpejtë të zjarreve, sipas presidentit të vendit.

Të hënën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shprehu keqardhje për fatkeqësinë në Kili. “Jill-i [bashkëshortja] dhe unë jemi thellësisht të pikëlluar për humbjen e jetës dhe shkatërrimin e shkaktuar nga zjarret e vazhdueshme në natyrë në Kili. Administrata ime është në kontakt me partnerët tanë kilianë, dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për t’ia ofruar asistencën e nevojshme popullit kilian” – tha ai.

Lajme të ngjashme