Shkon në 101 numri i të vdekurve nga Ebola në Kongo
Republika Demokratike e Kongos tha të hënën se numri i konfirmuar i të vdekurve nga Ebola ka shkuar në 101 dhe se prania e grupeve të armatosura po vazhdon që ta pengojë reagimin e autoriteteve në provincën më të prekur.
Përhapja e variantit Bundibugyo të Ebolës ishte njoftuar më 15 maj, edhe pse zyrtarët kanë thënë se virusi ishte i pranishëm pa u vërejtur me javë të tëra, duke i lënë autoritetet në vështirësi për ta vënë atë nën kontroll, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Virusi po përhapet në tri provinca që janë ballafaquar me konflikt të armatosur për një kohë të gjatë: Ituri, Kivuja Veriore dhe Kivuja Jugore.
Mungesa e besimit dhe rezistenca e kanë penguar punën e autoriteteve shëndetësore. Është raportuar edhe për sulme ndaj ekipeve të varrosjeve dhe qendrave për trajtimin e sëmundjes. Sulmi më i ri i tillë ndodhi të dielën, sipas një burimi të afërt me punën e autoriteteve qeveritare.
Një ekip i varrosjes së viktimave u sulmua në Bunia. Dy persona u lënduan seriozisht dhe dy automjete u dëmtuan.
Më herët të hënën, agjencia më e lartë e shëndetit publik në Afrikë tha se numri i rasteve të konfirmuara të Ebolës në Kongo ishte rritur në 544.