Shkencëtarët thonë se masturbimi ishte i pranishëm para rreth 40 milionë vjetëve
Biologët e evolucionit e kanë zbuluar origjinën e masturbimit te primatët e lashtë, të cilët kishin jetuar para njerëzve disa dhjetëra miliona vjet.
“Ajo që ne mund ta themi është se kjo sjellje ishte e pranishme rreth 40 milionë vjet më parë, në paraardhësin e përbashkët të të gjithë majmunëve”- tha Matilda Brindle, udhëheqëse e studimit në Kolegjin Universitar të Londrës. “Nuk është që disa specie u zgjuan një ditë dhe filluan ta bënin këtë. Ky është një tipar i lashtë, i evoluuar”- shtoi ajo, raporton gazeta “The Guardian”.
Zonja Brindle dhe kolegët e saj u futën thellë në historinë e sjelljes me shpresë që ta kuptonin prejardhjen e asaj që në shikim të parë duket si enigmë e evolucionit. Nga këndvështrimi i evolucionit, masturbimi duket i kushtueshëm, pengues, shpërdorim, madje i rrezikshëm.
Për ta rindërtuar historinë e kësaj sjelljeve, shkencëtarët bënë bashkë qindra publikime, përgjigje në pyetësorë dhe shënime personale për primatët që masturbonin. Të dhënat u morën nga primatologë dhe punëtorë të kopshteve zoologjike. Ata pastaj i vendosën të dhënat nëpër degët e evolucionit të primatëve, duke zbuluar se si aktiviteti ishte i pranishëm edhe në histori.
Ekipi i shkencëtarëve përshkruan se si masturbimi dukej i zakonshëm te primatët e të gjitha gjinve dhe moshave, por është më pak e qartë se pse ky veprim evoluoi para më shumë se 40 milionë vjetëve. Historikisht, në studime biologjike janë neglizhuar femrat, duke u dhënë autorëve pak të dhëna të mira për ta vazhduar punën. Për meshkuj, megjithatë, ka të paktën shenja.
Brindle tha se nevojiten më shumë të dhëna për t’i identifikuar nxitësit evolucionarë të masturbimit te femrat. Një ide është se masturbimi para marrëdhënies u jep primatëve femra ca ndikim mbi të cilin meshkujt i lënë shtatzënë: duke e bërë vaginën më pak acidike, ajo bëhet më mikpritëse për spermën e mashkullit.