Shkencëtarët thonë se kanë gjetur një “rezervuar” uji në Hënë
Shkencëtarët kanë njoftuar se kanë gjetur një “rezervuar” të ri uji në Hënë, që mund të ndihmojë për të kuptuar më shumë për hënën dhe për realizim të misioneve hapësinore që mund të zhvillohen atje.
The Independent shkruan se miliarda ton ujë i shpërndarë në sipërfaqen hënore mund të përdoret nga astronautët që synojnë të shkojnë në hënë – dhe të përdoret edhe si bazë për të shkuar më tej në sistemin diellor.
Studiuesit kanë zbuluar se dherat e mbledhura dhe të kthyera në tokë nga Chang'e 5, një tokëzues hënor kinez, përfshinin rruaza qelqi që përmbanin ujë, e tani ata kanë sugjeruar se ato rruaza mund të jenë një rezervuar uji dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ciklin e ujit në sipërfaqen hënore.
Nga studimet e mëparshme nuk ka qenë e mundur të shpjegohet se si dhe ku ruhet uji në hënë, por tani besohet se rezervuari mund të jenë këto rruaza qelqi, të cilat së bashku mund të mbajnë miliarda tonë ujë dhe krijohen në momentin që meteoroidet godasin Hënën duke hedhur pika të shkrira që pastaj bashkohen me pluhurin në hënë duke u ngurtësuar.
Sipas tyre, ato më pas funksionojnë si një sfungjer, duke thithur ujin dhe duke fuqizuar ciklin e ujit në sipërfaqen hënore, dhe jo vetëm që e ruajnë por edhe e lëshojnë në hapësirë.
Studiuesit kanë thënë se këto rruaza mund të ruajnë deri në 270 miliardë tonë ujë.
Zbulimet e reja janë botuar në Nature Geoscience.
