Shkarkohet zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Dmytro Klimenkov
Qeveria e Ukrainës të martën e shkarkoi nga detyra zëvendësministrin e Mbrojtjes, Dmytro Klimenkov, i cili ishte përgjegjës për blerjen e armëve, në kohën e përplasjeve të brendshme rreth blerjeve që po e ndërlikon përpjekjen e Kievit për t’i siguruar partnerët kyçë perëndimorë në një moment kritik në luftën me Rusinë.
Përplasja doli në shesh javën e kaluar, pasi ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, e kritikoi blerjen e armëve nga Ukraina si dështim për të sjellë rezultate për trupat në vijën e frontit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përpos kërkesës për shkarkimin e Klimenkovit, Umerovi shprehu kritika të posaçme drejt Agjencisë së Prokurimit të Mbrojtjes, e cila e bashkërendon blerjen e armëve për ushtrinë ukrainase që po ballafaqohet me mungesë armatimi.
Agjencia ishte themeluar pas një vargu akuzash më herët në luftë për shpenzime jo të duhura nga Ministria e Mbrojtjes dhe me të është synuar pakësimi i ndërmjetësve dhe minimizimi i rrezikut për korrupsion.
Në një deklaratë të publikuar të premten, Umerovi tha se agjencia ishte “shndërruar në mënyrë të pashpjegueshme në një “Amazon” dhe blerjet e saj ishin shumë të dukshme publikisht. Ukraina për një kohë të gjatë është munduar që t’i mbajë të fshehta hollësitë e blerjes së armëve.
Umerovi gjithashtu tha se nuk do t’ia përtërijë kontratën drejtoreshës së kësaj agjencie, Maryna Bezrukova, emërimi i së cilës vitin e kaluar ishte përshëndetur nga partnerët perëndimorë të Kievit. Ai u zotua për të emëruar një drejtor të ri.
Si kundërpërgjigje, agjencia tha se kishte bërë “progres domethënës” në fuqizimin e furnizimit dhe uljen e çmimeve dhe se do të vazhdojë të punojë nën udhëheqjen e zonjës Bezrukova.
Përplasja e brendshme vjen në kohën kur trupat ukrainase po ballafaqohen me avancimin e forcave ruse në pjesën lindore të vendit. Të dyja palët po mundohen që të fitojnë terren para bisedimeve të mundshme të paqes, por mbrojtja ukrainase po has në vështirësi për shkak të mungesës së trupave dhe armëve./Nacionale