Shitet me çmim 6-shifror një portret i rrallë i Mahatma Gandit - NACIONALE

Shitet me çmim 6-shifror një portret i rrallë i Mahatma Gandit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një portret i rrallë me ngjyra vaji i udhëheqësit indian për pavarësi, Mahatma Gandi, është shitur në ankand në Londër për 204 mijë e 648 dollarë (152 mijë e 800 funte).

Kjo vlerë është shumë më e lartë se shifra prej 50 mijë deri në 70 mijë funtesh që ishte vlerësuar nga shtëpia e ankandeve “Bonhams”, raporton televizioni BBC.

Portreti ishte bërë në vitin 1931 nga artistja britanike, Clare Leighton, kur Gandi e kishte vizituar Londrën. Shtëpia e ankandeve “Bonhams” tha se piktura mendohet që ishte portreti i vetëm në ngjyra vaji për të cilin Gandi ishte ulur.

Gandi kishte udhëhequr një lëvizje jo të dhunshme të rezistencës kundër sundimit britanik në Indi dhe mësimet e tij kanë frymëzuar miliona njerëz. Shumica e indianëve e cilësojnë atë si “baba të kombit”.

Portreti ishte bërë kur Gandi e kishte vizituar Londrën në vitin 1931 për konferencën e dytë të Tavolinës së Rrumbullakët, e mbajtur për t’i diskutuar reformat kushtetuese për Indinë dhe për t’i adresuar kërkesat e saj për vetëqeverisje.

Sipas shtëpisë së ankandeve ku u shit piktura, artistja Clare Leighton “ishte njëra nga pak artistët që ishin pranuar në zyrën e tij dhe i ishte dhënë mundësia për t’u ulur me të në shumë raste për ta skicuar dhe për ta pikturuar pamjen e tij”.

Piktura kishte mbetur në koleksionin e artistes deri në vdekjen e saj më 1989 në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e ankandeve nuk tregoi se kush e bleu pikturën dhe nuk është e qartë nëse vepra do të vihet në ndonjë vend për t’u parë./Nacionale

Lajme të ngjashme