Shërbimi Sekret po e heton rastin e gjetjes së kokainës në Shtëpinë e Bardhë
Kokaina e zbuluar në Shtëpinë e Bardhë të dielën është gjetur në një vrimë në zonën e hyrjes së Krahut Perëndimor, ku vizitorët i vendosin pajisjet elektronike dhe gjërat e tjera para se ta fillojnë shëtitjen, tha të mërkurën një burim i afërt me këtë çështje.
Shtëpia e Bardhë tha se Shërbimi Sekret është duke e hetuar rastin. “Ata po i kontrollojnë listat e vizitorëve dhe... po i shikojnë kamerat. Ata janë hapat e ardhshëm. Kontrolli i kryqëzuar”- tha burimi, raporton agjencia “Reuters”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve: “Vendi ku u gjet kjo, është zonë me udhëtim të dendur, ku shumë... vizitorë të Krahut Perëndimor kalojnë.”
Kur u pyet nëse ndonjë person i është nënshtruar testimit për drogë si pjesë e hetimit, zëdhënësja tha: “Ne do të ndërmarrin çfarëdo veprimi... që është i duhur dhe i autorizuar, në pritje të rezultatit të Shërbimit Sekret.”
Posedimi i kokainës, e cila klasifikohet si drogë e “listës së dytë” sipas Aktit për Substancat e Kontrolluara, përbën kundërvajtje në Uashington.
Krahu Perëndimor është i ngjitur me rezidencën ekzekutive, ku jetojnë presidenti Joe Biden dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden.
Në të përfshihen Zyra Ovale, dhoma e kabinetit dhe hapësira e punës për stafin presidencial. Qindra njerëz kalojnë nëpër Krahun Perëndimor rregullisht, përfshirë stafin politik, mysafirët e tyre dhe anëtarët e mediave.
Zëdhënësja Jean-Pierre tha se shëtitjet nëpër Krahun Perëndimor ndodhën të premten, të shtunën dhe të dielën.
Substanca u gjet gjatë një kontrolli rutinor të Shërbimit Sekret të dielën në mbrëmje. Një zëdhënës i Shërbimit Sekret nuk iu përgjigj kërkesës për koment të mërkurën. Shërbimi Sekret nuk ka treguar se çfarë sasie e kokainës është gjetur.