Shërbimet sekrete ruse kërkuan bashkëpunim nga diplomatët çekë
Zëvendës ambasadorit çek në Moskë iu kërkua nga autoritetet ruse që të bashkëpunonte me shërbimet sekrete përpara se të dëbohej nga vendi, ndërkohë që u kontaktua edhe një diplomat tjetër çek, por që të dy kishin refuzuar të bashkëpunonin, shkruan Euractiv.
Moska dëboi zëvendës ambasadorin çek, Tomáš Hart, të mërkurën e kaluar (13 prill) si përgjigje ndaj dëbimit të homologut të tij rus nga Republika Çeke në mars.
Siç raportojnë mediat çeke, Deník N dhe Respekt, Hart ishte kontaktuar nga shërbimet e inteligjencës ruse në fund të marsit, ku kishte marrë një letër që e ftonte atë në një takim në Moskë. Mrëpo, Hart nuk iu kishte përgjigjur ftesës dhe e raportoi çështjen në ministrinë e jashtme çeke.
Mediat çeke shkruajnë se kjo mund të ketë qenë një provokim nga autoritetet ruse ose një përpjekje për të ushtruar presion psikologjik ndaj shërbimeve diplomatike çeke.
Një person i panjohur i kishte thënë një diplomateje tjetërse ajo do të dëbohej nga Rusia nëse nuk do të bashkëpunonte. Diplomatja u përball gjithashtu me kërcënimin se rusët e njihnin familjen e saj.
Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës Çeke dhe Rusisë tashmë janë në nivelin më të ulët që kanë patur ndonjëherë.
Në fund të marsit, diplomatët çekë në Moskë ishin përbalur me ngacmime të rënda, pas së cilës ministria e jashtme thirri ambasadorin rus në Pragë për të protestuar kundër sjelljes së papranueshme në Moskë.
Zëvendësambasadori rus më pas u dëbua nga Republika Çeke, meqë nën petkun diplomatik, ai kishte punuar për shërbimet e inteligjencës ruse. Si reagim ndaj këtij veprimi, edhe Rusia vendosi të dëbojë zëvendësambasadorin çek.
Aktualisht janë gjashtë diplomatë që punojnë në ambasadën ruse në Pragë, ndërsa ambasada çeke në Moskë ka 17 nëpunës, përfshirë diplomatë.