Shënohet rekord i ri i vlerës së Bitcoin-it – mbi 100.000 dollarë
Çmimi i një njësie të kriptovalutës “Bitcoin” ka shkuar për herë të parë në mbi 100 mijë dollarë, duke shënuar rekord të ri.
Vlera e kriptovalutës së njohur është fuqizuar nga shpresa se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të zbatojë politika që janë miqësore ndaj kriptovalutave, raporton televizioni BBC.
Rekordi i ri u shënua disa orë pasi Trumpi tha se do ta nominonte ish-komisionerin e Komisionit për Sigurime dhe Këmbim, Paul Atkins, për ta udhëhequr rregullatorin e “Wall Street”-it.
Atkinsi shihet si tepër më pro kriptovalutave se udhëheqësi i tanishëm i Komisionit për Sigurime dhe Këmbim, Gary Gensler.
Vlera e re e lartë nxiti festë në mesin e përkrahësve të kriptovalutave përreth botës. Miliona shikues u aktivizuan në internet për të shikuar ndeja, kur çmimi po i afrohej numrit gjashtëshifror.
Çmimi i një njësie të kriptovalutës së famshme është njëri nga matësit e optimizmit në industrinë e kripotvalutave, vlera e së cilës tani vlerësohet se është 3,3 trilionë dollarë, sipas firmës për analiza, “Coin Market Cap”.
Fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara muajin e kaluar ishte katalizator për rritjen e madhe të vlerës së “Bitcoin”-it.
Presidenti i zgjedhur është zotuar se do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara “kryeqendër të kriptovalutave në planet” – ndryshim i konsiderueshëm i qëndrimit, pasi në vitin 2021 “Bitcoin”-in e kishte quajtur “mashtrim”.
Për t’u përmendur është edhe rritja e madhe dhe e shpejtë e vlerës së kësaj kriptovalute. Çmimi prej 100 mijë dollarësh është më shumë se dyfish më i lartë se vlera që e kishte “Bitcoin”-i në fillim të vitit./Nacionale