Shënohen viktimat e para të sulmeve të reja izraelite në qytetin Gaza
Aeroplanët luftarakë izraelitë kryen sulme të martën në qytetin Gaza, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu e akuzoi Hamasin për shkeljen e paktit të armëpushimit në enklavë dhe e urdhëroi ushtrinë që të kryente “sulme të fuqishme”.
Të paktën dy njerëz u vranë dhe katër të tjerë u plagosën nga një sulm ndaj një ndërtese banimi në lagjen Sabra të qytetit Gaza, ndërsa u godit edhe një zonë afër spitalit “Shifa”, më i madhi ende funksional në pjesën veriore të Gazë, sipas zyrtarëve të enklavës, dëshmitarëve dhe mediave të Hamasit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ushtria izraelite nuk i komentoi menjëherë sulmet, të cilat e paraqesin valën më të re të dhunës në armëpushimin e brishtë që u nënshkrua para më shumë se dy javëve dhe e cila erdhi pas një deklarate nga zyra e Netanyahut ku thuhej se ai ka urdhëruar sulme të menjëhershme.
Në deklaratë nuk u dha ndonjë arsye specifike për sulmet, por një zyrtar ushtarak izraelit tha se Hamasi e kishte shkelur armëpushimin duke kryer sulme kundër forcave izraelite në një zonë të enklavës që është nën kontrollin izraelit.
“Kjo është edhe një shkelje tjetër flagrante e armëpushimit” – tha zyrtari izraelit.
Marrëveshja e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, hyri në fuqi më 10 tetor, duke e ndërprerë luftën 2-vjeçare të nxitur nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023. Lufta që pasoi e ka lënë të shkatërruar enklavën e vogël bregdetare.
Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit. Më herët të martën, mediat izraelite raportuan për shkëmbim zjarri mes forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj një kërkese për koment rreth këtyre raportimeve./Nacionale