Shënohen rritje në tregjet globale të aksioneve, ato në ShBA i afrohen rekordit
Të mërkurën u shënua rritje e vlerës së aksioneve në Evropë dhe Azi, pasi aksionet në Shtetet e Bashkuara iu afruan shifrave rekorde.
Në indeksin gjerman DAX u shënua rritje për 0,8 për qind, ndërsa në indeksin CAC 40 në Paris 0,4 për qind. Indeksi britanik FTSE shënoi rritje për më pak se 0,1 për qind, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Rritja më e madhe u shënua në indeksin “Kopsi” të Koresë së Jugut, me 2,4 për qind, pasi kandidati liberal opozitar, Lee Jae-myung, u zgjodh president.
Fitorja e tij u jep fund disa muajve me trazira politike, të cilat ishin nxitur nga futja shokuese por e shkurtër në fuqi e ligjit të luftës nga presidenti tashmë i rrëzuar, Yoon Suk Yeol. Në prioritetet e udhëheqësit të ri përfshihen shpenzimet qeveritare dhe bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Në indeksin japonez “Nikkei” u shënua rritje e vlerës së aksioneve për 0,8 për qind falë trendit pozitiv për kompanitë teknologjike dhe farmaceutike.
Vlera e aksioneve të kompanisë “Toyota Motor Corp.” u rrit për 1,9 për qind, pasi gjiganti njoftoi se do ta blinte kompaninë “Toyota Industries Corp.”, prodhues i pjesëve të veturave, për 33 miliardë dollarë.
Rritje simbolike u shënua edhe në indekset kineze: 0,5 për qind në “Hang Seng” dhe 0,4 për qind në “Shanghai Composite”.
Të martën u shënua rritje prej 0,6 për qind në indeksin “S&P 500”, më pak se 3 për qind larg rekordit të të gjitha kohërave, që ishte thyer më herët këtë vit. Rritje pati edhe në indekset “Dow” (0,5 për qind) dhe “Nasdaq” (0,8 për qind)./Nacionale