Shembet një xhami gjatë lutjeve në Nigeri, të paktën shtatë të vdekur
Të paktën shtatë persona vdiqën pas shembjes së një xhamie gjatë lutjeve të premten në qytetin Zaria të Nigerisë, sipas zyrtarëve të këtij vendi.
Qindra besimtarë ndodheshin brenda xhamisë të premten në kohën e shembjes, raporton televizioni BBC.
Një hetim është duke u zhvilluar për ta zbuluar shkakun e shembjes. Një zyrtar lokal u tha mediave se një e çarë ishte zbuluar në njërin nga muret e xhamisë të enjten.
Mendohet se xhamia e shembur ishte mbi një shekull e vjetër. Nigeria ka histori të gjatë të shembjes së ndërtesave.
“Katër trupa u gjetën fillimisht”- i tha agjencisë “Reuters” zëdhënësi i një këshilli, Abdullahi Kwarbai.
“Pastaj tre të tjerë u gjetën, pasi ekipi i kërkim-shpëtimit kërkoi në vendin e shembjes”- shtoi zëdhënësi.
Një ekip i inxhinierëve ishte organizuar për ta rregulluar të çarën në ndërtesë, tha udhëheqësi rajonal, Mallam Ahmed Nuhu Bamalli.