Shembet akulli i akullnajës, vdes një turist e dy të tjerë zhduken në Islandë
Një turist i huaj ka vdekur në jug të Islandës pas shembjes së akullit gjatë një vizite të grupit ku bënte pjesë ai në një akullnajë, raportuan mediat lokale.
Një turist tjetër u lëndua, por ai është dërguar në spital dhe jeta e tij nuk është në rrezik, ndërsa dy të tjerë ende janë të zhdukur, raporton televizioni BBC.
Shpëtuesit e kanë pezulluar kërkimin për të zhdukurit në akullnajën Breidamerkurjokull deri në mëngjes për shkak të kushteve të vështira.
Akulli u shemb, kur grupi prej 25 personave po vizitonin një shpellë të akullt bashkë me një udhërrëfyes të dielën.
Punëtorët e ekipeve emergjente punuan me duar në përpjekje për t’i shpëtuar të zhdukurit.
Ekipet emergjente pranuan një telefonatë pak para orës 15:00 të dielën për shembjen e akullit.
“Kushtet janë shumë të vështira në terren. Është brenda akullnajës. Është vështirë që të dërgohen pajisje atje... Është keq. Gjithçka po bëhet me dorë” – tha komandanti i policisë lokale, Sveinn Kristjan Runarsson.
Mediat lokale raportuan se 200 njerëz ishin duke punuar në operacionin e shpëtimit në një çast të dielën./Nacionale