Shefi i “Telegram”-it jep dorëzani marramendëse për t’u liruar nga paraburgimi në Francë - NACIONALE

Shefi i “Telegram”-it jep dorëzani marramendëse për t’u liruar nga paraburgimi në Francë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefit të platformës “Telegram”, Pavel Durov, i është ndaluar largimi nga Franca dhe është vënë nën hetim zyrtar si pjesë e një rasti për krim të organizuar në rrjetin e njohur social, kanë thënë prokurorët në Paris.

Durovi nuk do të mbahet në paraburgim, por vetëm nën mbikëqyrje gjyqësore dhe duhet të paguajë pesë milionë euro depozitë si dorëzani, raporton televizioni BBC.

Miliarderi rus, që gjithashtu ka shtetësi franceze, gjithashtu duhet të paraqitet në një stacion policie dy herë në javë dhe i ndalohet largimi nga territori i Francës.

Në deklaratën e së mërkurës, prokurorët e Parisit thanë se Durovi është vënë nën hetim zyrtar për shkelje të dyshimta ku përfshihen bashkëfajësia në administrimin e një platforme interneti për të mundësuar transaksione të paligjshme nga një bandë e organizuar, refuzimi për të komunikuar me autoritetet dhe bashkëfajësia në shpërndarje të organizuar kriminale të fotografive seksuale të fëmijëve.

Në Francë, vënia e një personi nën hetim zyrtar nuk nënkupton fajësi ose nuk rezulton patjetër në fillim të gjykimit, por tregon se gjykatësit konsiderojnë që ka bazë të mjaftueshme për ta vazhduar procesin e hetimit.

Durovi deri më tani nuk ka bërë ndonjë koment publik rreth zhvillimeve të fundit rreth akuzave ndaj tij.

Avokati i tij, David-Oliver Kaminski, tha se platforma “Telegram” i ka respektuar në secilën mënyrë rregulloret digjitale evropiane dhe është moderuar me standardet e njëjta si rrjetet e tjera sociale.

Ai shtoi se është “absurde” që klienti i tij ka mundur të përfshihej “në akte kriminale që nuk kanë të bëjnë me të as drejtpërdrejt, as tërthorazi”.

Është rast i pashembullt që pronari i një rrjeti social të arrestohet për shkak të mënyrës se si është përdorur platforma dhe kjo ngjarje ka nxitur një debat të ashpër në internet për lirinë e të shprehurit dhe llogaridhënien.

Elon Musk, pronar i rrjetit X, e ka mbrojtur Durovin, duke argumentuar se moderimi është “fjalë propagande” për censurën. Ai ka bërë thirrje për lirimin e rusit me shtetësi franceze./Nacionale

Lajme të ngjashme