Shefi i “Shell”-it paralajmëron se pakësimi i prodhimit të naftës do të ishte i rrezikshëm - NACIONALE

Shefi i “Shell”-it paralajmëron se pakësimi i prodhimit të naftës do të ishte i rrezikshëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pakësimi i prodhimit të naftës dhe gazit do të ishte veprim i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm, ka thënë shefi i gjigantit të karburanteve, “Shell”.

Wale Sawan ka këmbëngulur se bota ende ka nevojë “në mënyrë dëshpëruese për naftë dhe gaz”, përderisa lëvizjet drejt energjisë së gjelbër nuk po lëvizin mjaftueshëm shpejt për t’i zëvendësuar këto burime energjie, raporton televizioni BBC.

Ai paralajmëroi se rritja e kërkesës nga Kina dhe një dimër i ftohtë në Evropë do të mund të shkaktonin përsëri rritje të çmimeve dhe faturave të energjisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë rishtazi se investimi në prodhimin e ri të naftës dhe gazit është “çmenduri ekonomike dhe morale”.

Sidoqoftë, shefi i kompanisë “Shell” tha: “Me respekt, nuk pajtohem. Ai që do të ishte i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm do të ishte pakësimi i prodhimit të naftës dhe gazit që kostoja e jetesës pastaj, siç pamë vitin e kaluar, të fillojë që të rritet përsëri.”

Bota është në garë për t’i larguar nga përdorimi lëndët e djegshme për të zgjedhur alternativa më pak të dëmshme ndaj klimës dhe natyrës. Udhëheqësit botërorë janë zotuar që botën ta mbajnë larg ngrohjes prej më shumë se 1,5 gradësh Celsius në këtë shekull.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian e publikoi planin se si BE-ja do ta përshpejtojë kalimin tek energjia e gjelbër për t’i dhënë fund varësisë nga nafta dhe gazi rus.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka thënë se “nëse qeveritë janë serioze për krizën klimatike, nuk mund të ketë investime të reja në naftë, gaz ose thëngjill nga tani”.

Lajme të ngjashme