Shefi i Pentagonit: Ukraina mund ta fitojë luftën nëse ka pajisjet e duhura
Shefi i Pentagonit ka thënë se rrugës për në Kiev dukej sikur gjërat kishin filluar të normalizoheshin.
Austin thotë se natyra e luftës në Ukrainë ka evoluar, kështu që ukrainasit kanë nevojë për armë me rreze të gjatë veprimi dhe se kanë shprehur nevojën për furnizim me tanke. Ai thotë se është e vështirë për SHBA-në të gjurmojë se çfarë ndodh me armët e dërguara në Ukrainë, pasi nuk ka forca amerikane në terren. Por ai foli me ukrainasit për t'u siguruar që armët të gjurmohen sa më mirë që të jetë e mundur.
"Hapi i parë për të fituar është të besosh se mund të fitosh... Ne besojmë se ne mund të fitojmë, ata mund të fitojnë nëse kanë pajisjet e duhura, mbështetjen e duhur," tha Austin.
Shefi i Pentagonit shton se Zelensky ishte mirënjohës për gjithçka që SHBA po bën, por është i fokusuar në atë që i nevojitet për të qenë i suksesshëm.
Në anën tjetër, Ssekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Rusia është duke dështuar në përpjekjet e saj për ta nënshtruar Ukrainën.
“Ne po shohim se kur bëhet fjalë për qëllimet e luftës të Rusisë, Rusia po dështon. Ukraina po ia del mbanë. Rusia ka kërkuar si qëllimin e saj kryesor të nënshtrojë plotësisht Ukrainën, t'i heqë sovranitetin, t'i heqë pavarësinë. Kjo ka dështuar”, u tha Blinken gazetarëve në Poloni.
“Ajo (Rusia) u përpoq të tregonte fuqinë e ushtrisë dhe ekonomisë së saj. Natyrisht, ne po shohim të kundërtën. Ushtri që është në mënyrë dramatike nën performancë, një ekonomi që si rezultat i sanksioneve dhe një eksodi masiv nga Rusia është në rrënim e sipër. Dhe u përpoq të ndante Perëndimin dhe NATO-n. Sigurisht, ne po shohim pikërisht të kundërtën.”