Shefi i Pentagonit e paralajmëron Iranin për pasoja për përkrahjen e rebelëve Houthi - NACIONALE

Shefi i Pentagonit e paralajmëron Iranin për pasoja për përkrahjen e rebelëve Houthi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, e paralajmëroi Iranin të mërkurën se do të ballafaqohet me pasoja për shkak të mbështetjes së ofruar për rebelët Houthi të Jemenit, edhe pse Uashingtoni i ka nisur bisedimet me Teheranin për programin bërthamor të Iranit.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani deri më tani kanë zhvilluar tri runde të bisedimeve të tërthorta, të ndërmjetësuara nga Omani, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje me të cilën Teheranit do t’i bllokohej prodhimi i një arme bërthamore, por gjithashtu edhe heqja e sanksioneve të ashpra ekonomike që i janë vendosur Iranit nga Uashingtoni.

Delegacionet nga ShBA-ja dhe Irani do të takohen të shtunën në Romë të Italisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Porosi Iranit: Ne e shohim përkrahjen tuaj vdekjeprurëse për Houthit. Ne e dimë saktësisht se çfarë jeni duke bërë ju. Ju e dini shumë mirë se për çka është e aftë ushtria amerikane – dhe jeni paralajmëruar. Ju do t’i paguani pasojat në kohën dhe vendin që ju do ta zgjidhni” – shkroi Hegseth-i në rrjetin X.

Sekretari Hegseth më vonë në llogarinë e tij personale në rrjetin X ripostoi një porosi të presidentit Donald Trump në rrjetin “Truth Social” nga muaji mars, në të cilën presidenti tha se do ta mbante Iranin përgjegjës për çfarëdo sulmi që kryhet nga rebelët Houthi.

Udhëheqësi i Iranit më parë ka thënë se rebelët Houthi veprojnë në mënyrë të pavarur.

Rebelët Houthi e kontrollojnë pjesën veriore të Jemenit dhe kanë goditur anije në Detin e Kuq në atë që e quajnë solidarizim me palestinezët në Gaza.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ndaj më shumë se një mijë caqeve që nga shtimi i sulmeve kundër këtij grupi në mars./Nacionale

Lajme të ngjashme