Shefi i inteligjencës ushtarake të Izraelit pranon se dështoi që ta paralajmëronte 7 Tetorin
Gjeneral Major Aharon Haliva, në fjalimin e tij të fundit si drejtor i Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake, tha të mërkurën se ai ishte përgjegjës që nuk kishte ofruar një paralajmërim para sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit.
Në fjalimin e tij të dorëheqjes, ai la të kuptoje se priste që edhe oficerë të tjerë ta merrnin përgjegjësinë për dështimet e tyre dhe bëri thirrje për themelimin e një komisioni shtetëror për hetimin e dështimeve që çuan te lufta, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Atë të shtunë, ne nuk e përmbushëm misionin më të rëndësishëm me të cilin jemi të ngarkuar, ofrimin e një paralajmërimi për luftë” – tha ai gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës në bazën “Glilot”, ku ndodhen disa prej njësiteve të Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake.
“Përgjegjësia për dështimet e Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake është mbi mua” – shtoi Haliva.
Ai kishte paralajmëruar në prill se do të largohej nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për shkak të përfshirjes së tij në dështimet që kishin çuar te sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor. Gjeneral Major Shlomi Binder, ish-komandant i Divizionit të Operacioneve në ushtrinë izraelite, do ta zëvendësojë Haalivan në krye të inteligjencës ushtarake.