Shefi i inteligjencës turke drejt Egjiptit për bisedimet rreth planit të Trumpit për Gazën
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës (MIT) në Turqi, Ibrahim Kalin, do të bëhet pjesë e bisedimeve në Sharm el-Sheikh të Egjiptit të mërkurën për të diskutuar rreth planit të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza, raporton televizioni CNN, duke e cituar televizionin shtetëror turk, TRT.
Negociatorët izraelitë dhe palestinezë i filluan bisedimet e tërthorta në Egjipt të hënën për kushtet e planit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve.
“Tema kryesore të agjendës në takimet ku do të marrë pjesë Kalin do të jenë ndërtimi i një armëpushimi në Gaza, zbatimi i një shkëmbimi të të burgosurve dhe shpërndarja e ndihmave humanitare” – raportoi të martën televizioni shtetëror turk.
Në Egjipt të mërkurën pritet të arrijnë edhe emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner.
Pritet që në shtetin afrikan për bisedime të armëpushimit të shkojnë edhe ministri i Punëve Strategjike i Izraelit, Ron Dermer, si dhe kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.
Kryenegociatori i Hamasit, Khalil Al-Hayaa, ka thënë se synon që të zhvillojë diskutime “të përgjegjshme dhe serioze” gjatë qëndrimit në Egjipt. Sipas tij, qëllimet e grupit të tij janë përfundimi i luftës, tërheqja e forcave izraelite nga Gaza dhe një shkëmbim i plotë i të burgosurve, duke iu referuar palestinezëve që po mbahen nga Izraeli dhe pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, nga lufta që nisi saktësisht dy vjet më parë janë vrarë të paktën 20 mijë e 179 fëmijë./Nacionale