ShBA njofton pako të re ndihme ushtarake për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që të ndihmohet ushtria në luftë kundër Rusisë.
Reuters raporton se sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se pako do të përfshijë më shumë municione dhe raunde artileri, ndërsa ka njoftuar që është pako e 36-të e ndihmës që i është dhënë Ukrainës që nga fillimi i luftës.
“Paketa, si pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit brutal të Rusisë, do të përfshijë më shumë municion për sistemet raketore Himars të ofruara nga ShBA dhe sistemet anti-blind, si dhe raunde shtesë artilerie,"- ka thënë Jean-Pierre.
Kujtojmë se ShBA është një nga vendet që udhëheq një përpjekje të pashembullt të NATO-s dhe aleatëve të tjerë për të furnizuar Ukrainën me armatim dhe ndihma të tjera, ndërsa vendi zmbrapset kundër një sulmi rus që filloi në shkurt 2022.
Dihet se Ukraina është duke përgatitur një përpjekje për një kundër-ofensivë, duke i larguar rusët nga pjesët e territorit të pushtuar në lindje dhe jug të vendit.
