Sekretari Austin beson se Suedia do të bëhet pjesë e NATO-s deri në korrik - NACIONALE

Sekretari Austin beson se Suedia do të bëhet pjesë e NATO-s deri në korrik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha të mërkurën se ka besim që Suedia do të mirëpritet si anëtare e re e NATO-s deri në korrik.

“Unë u bashkohem 30 ministrave të tjerë të Mbrojtjes në aleancë dhe e di që ata ndihen njësoj”- tha zyrtari i lartë amerikan, duke folur në Stokholm pranë ministrit të Mbrojtjes të Suedisë, Pal Jonson, raporton televizioni CNN.

Sipas rregullave të NATO-s, secili anëtar mund ta përdorë veton për ta bllokuar anëtarësimin e shteteve të tjera. Edhe pse shumica e anëtarëve e kanë mirëpritur aplikimin e Finlandës dhe Suedisë, dy shtete – Turqia dhe Hungaria – e kanë ngadalësuar procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve.

Turqia i ka akuzuar Finlandën dhe Suedinë se kanë strehuar organizata terroriste kurdë, ndërsa kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka pretenduar se këto shtete kanë përhapur gënjeshtra për gjendjen e sundimit të ligjit në vendin e tij.

Turqia dhe Hungaria i zbutën qëndrimet e tyre për Finlandën muajin e kaluar, duke e miratuar aplikimin e saj dhe e duke e lejuar që të bëhet anëtare e re e NATO-s.

Megjithatë, ato vazhdojnë që ta bllokojnë pranimin e Suedisë në aleancë. Turqia ka thënë se nuk do ta miratojë anëtarësimin e këtij shteti derisa t’i ekstradojë “terroristët” sipas kërkesave turke. Suedia ka bërë të qartë se kjo nuk do të ndodhë dhe, tash për tash, procesi i anëtarësimit ka ngecur.

Sekretari Austin tha se ai beson që mosmarrëveshja do të zgjidhet së shpejti. “Jam i sigurt se këto vende do ta arrijnë atë vendim dhe kam besim që ato do ta arrijnë atë para korrikut”- tha ai.

Lajme të ngjashme