ShBA-ja, Ukraina e Rusia i fillojnë bisedimet e para trepalëshe për zgjidhjen e luftës - NACIONALE

ShBA-ja, Ukraina e Rusia i fillojnë bisedimet e para trepalëshe për zgjidhjen e luftës

2 javë më parë

nga NACIONALE

Negociatorët ukrainas, amerikanë dhe rus filluan të premten bisedime në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e shënuar takimin e parë të ditur ku marrin pjesë përfaqësues të të tria vendeve që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, konfirmoi se Rusia do t’u bashkohej përfaqësuesve nga Ukraina dhe ShBA-ja për “takimin e parë të grupit punues trepalësh për çështjet e sigurisë” në Abu Dabi, duke konfirmuar një deklaratë të mëhershme të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton televizioni CNN.

Këto bisedime vijnë pasi emisari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, u takuan me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe diskutuan me të për më shumë se tri orë të enjten vonë. Ushakovi i përshkroi këto bisedime si “jashtëzakonisht thelbësore, konstruktive dhe, do të thosha, tepër të sinqerta dhe konfidenciale”.

Megjithatë, ai gjithashtu paralajmëroi se “pa zgjidhjen e çështjes territoriale... nuk duhet të llogaritet në arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë” dhe shtoi se Rusia do të vazhdojë që t’i ndjekë objektivat e saj “në fushën e betejës, ku Forcat e Armatosura Ruse e mbajnë iniciativën strategjike”, derisa të arrihet një marrëveshje.

Përpjekjet e bërë rishtazi e të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për ta ndërmjetësuar përfundimin e luftës gati 4-vjeçare deri më tani kanë dështuar që t’u japin fund luftimeve. Kërkesa e Moskës që Ukraina të dorëzojë territore për një kohë të gjatë ka qenë pikë ngërçi në bisedime.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se bisedimet do të vazhdojnë edhe të shtunën, “nëse është e nevojshme”.

Delegacioni i Rusisë në takimin trepalësh do të drejtohet nga shefi i inteligjencës ushtarake, Igor Olegovich Kostyukov, ndërsa delegacioni i Ukrainës nga kryenegociatori Rustem Umerov./Nacionale

Lajme të ngjashme