ShBA-ja thotë se trupa të Koresë së Veriut janë vrarë duke luftuar në Rusi
Trupa të Koresë së Veriut janë vrarë duke luftuar kundër forcave ukrainase në rajonin kufitar të Rusisë, Kursk, sipas Shteteve të Bashkuara.
Këto do të ishin viktimat e para të raportuara në mesin e trupave koreanoveriore që nga zbulimi i lajmit në tetor në shteti i largët aziatik kishte dërguar rreth 10 mijë ushtarë për ta përkrahur Rusinë, raporton televizioni BBC.
Një ditë më parë, edhe agjencia ukrainase për inteligjencë ushtarake, GUR, tha se të paktën 30 trupa të Koresë së Veriut janë vrarë ose janë plagosur gjatë luftimeve në fundjavën që shkoi.
Televizioni BBC nuk i ka vërtetuar në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Duke folur para gazetarëve të hënën, sekretari për shtyp i Pentagonit, Gjeneral Major Pat Ryder, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se ushtarë të Koresë së Veriut ishin “angazhuar në luftime në Kursk krahas forcave ruse” dhe “kishin pësuar viktima, edhe të vrarë, edhe të plagosur”.
Ai nuk dha ndonjë numër, por shtoi se trupat e Penjanit kishin qenë në luftime “për pak më shumë se një javë”.
Zyrtari i Pentagonit gjithashtu tha se duket që koreanoveriorët po shfrytëzoheshin në role të këmbësorisë dhe se përfshirja e tyre mendohet se deri më tani është e kufizuar në Kursk, duke lënë të nënkuptohej se trupat e Koresë së Veriut nuk janë dislokuar në territorin e Ukrainës.
Agjencia GUR e Ukrainës tha se Koreja e Veriut pësoi në trupa të shtunën dhe të dielën në fshatrat ruse të Kurskut – Plekhovo, Vorobzha dhe Martynovka.
Lexoni edhe: Ukraina raporton për humbje të Koresë së Veriut në frontin e Kurskut në Rusi