ShBA-ja thotë se Rusia ka arrestuar një ushtar amerikan - akuzohet për vjedhje
Një ushtar amerikan është ndaluar në Rusia nën akuzën për shkelje kriminale, tha të hënën ushtria amerikane.
Një zyrtar i ShBA-së, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ushtari e kishte bazën në Kore të Jugut. Një zyrtar tjetër amerikan tha se ushtari akuzohet se i ka vjedhur diçka një gruaje, raporton agjencia “Reuters”.
Ushtria amerikane nuk ofroi hollësi për akuzat ndaj ushtarit, duke e përmendur ndjeshmërinë e çështjes si arsyetim, por tha se Moska e ka njoftuar Departamentin e Shtetit të ShBA-së për ndalimin e ushtarit në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Konsullore.
“Më 2 maj 2024, autoritetet ruse në Vladivostok, Rusi, ndaluan një ushtar amerikan nën akuza për shkelje kriminale” – tha ushtria amerikane.
Për arrestimin e ushtarit së pari raportoi televizioni amerikan, “NBC News”.
Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Gazeta ruse “Izvestia”, duke cituar një burim të paidentifikuar, tha se rreshteri me bazë në Kore të Jugut ishte takuar me një grua nga qyteti rus i Lindjes së Largët, Vladivostok, me të cilën ishte njoftuar përmes internetit.
E përditshmja ruse tha se çifti kishte jetuar bashkë për ca kohë, por ushtari e kishte rrahur gruan dhe i kishte vjedhur 200 mijë ruba (2.200 dollarë).
Kur u pyet për ndalimin e ushtarit, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit vetëm konfirmoi se “një shtetas i ShBA-së është ndaluar në Rusi”.
“Ne i përsërisim paralajmërimet tona të forta për rrezikun që u paraqitet shtetasve amerikanë brenda Federatës Ruse. Shtetasit amerikanë që banojnë ose udhëtojnë në Rusi duhet të largohen menjëherë, siç deklarohet në Këshilluesin tonë të Udhëtimeve për Rusinë” – shtoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka lobuar në Moskë për lirimin e disa amerikanëve, përfshirë reporterin e gazetës “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich.