ShBA-ja thotë se plani i saj për Gazën e pasluftës ofron një shteg drejt shtetësisë palestineze
Në një deklaratë të përbashkët të hartuar nga Shtetet e Bashkuara të premten, disa shtete që po punojnë për përfundimin e konfliktit në Gaza e shprehën mbështetjen e tyre për rezolutën e Uashingtonit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për themelimin e një force ndërkombëtare të stabilizimit në enklavën e rrënuar nga lufta, edhe pse dokumenti po sfidohet nga Rusia dhe Kina.
Deklarata, e mbështetur nga Katari, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Indonezia, Pakistani, Jordania dhe Turqia, thekson se procesi “ofron një shteg drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Ne theksojmë se kjo është një përpjekje e sinqertë dhe se Plani ofron një shteg të zbatueshëm drejt paqes dhe stabilitetit, jo vetëm mes izraelitëve dhe palestinezëve, por për tërë rajonin. Ne e presim zbatimin e shpejtë të kësaj rezolute” – thuhet më tej në deklaratë.
Plani 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për paqen në Gaza thotë se “mund” të ketë kushte për një “shteg të besueshëm drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze” përderisa “rizhvillimi i Gazës avancon dhe kur programi i reformës i Autoritetit Palestinez të zbatohet besnikërisht”.
Deklarata e përbashkët e së premtes duket se shkon më larg se teksti i planit duke mos e lënë të hapur për debat çështjen e një horizonti politik, me gjasë duke plotësuar një kërkesë të nënshkruesve të deklaratës.
Pavarësisht nga gjuha e përdorur në planin 20-pikësh për paqe, Trumpi në javët e fundit ka thënë se ai madje nuk ka vendosur ende nëse do të mbështesë një zgjidhje me dy shtete, e cila kundërshtohet në mënyrë të vendosur nga Izraeli.
Të enjten, Uashingtoni u bëri thirrje publikisht vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta mbështesnin rezolutën amerikane për themelimin e një force ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza. Megjithatë, propozimi i ShBA-së po ballafaqohet me kundërshtimin e Rusisë dhe Kinës, të cilat kanë shprehur rezerva rreth themelimit të një bordi që do ta qeveriste përkohësisht enklavën si dhe rreth mungesës së ndonjë roli kalimtar për Autoritetin Palestinez.