ShBA-ja thotë se Koreja Veriore s’i është përgjigjur për të diskutuar rreth ushtarit amerikan - NACIONALE

ShBA-ja thotë se Koreja Veriore s’i është përgjigjur për të diskutuar rreth ushtarit amerikan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore nuk iu përgjigj të enjten përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të diskutuar rreth ushtarit amerikan që e ka kaluar kufirin me masa të rrepta të sigurisë dhe mundësia për lirimin e shpejtë të të cilit është e paqartë në kohën e tensioneve të larta ushtarake e kanaleve joaktive të komunikimit.

Ushtari Travis King, i cili do të duhej të ishte nisur drejt Teksasit të ShBA-së pas përfundimit të dënimit me burgim në Kore Jugore për një sulm, vrapo drejt territorit të Koresë Veriore gjatë një shëtitjeje civile në fshatin kufitar, Panmunjom, të martën. Ai është amerikani i parë i njohur që është duke u mbajtur në Kore Veriore në gati pesë vjet, raporton agjencia “Associated Press”.

“Dje, Pentagoni iu afrua homologëve në Ushtrinë Popullore Koreane. Ajo që unë e kuptoj është që ato komunikime ende nuk kanë marrë përgjigje”- tha Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, para gazetarëve të mërkurën në Uashington.

Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit janë duke punuar së bashku për të grumbulluar të dhëna për mirëqenien dhe vendndodhjen e ushtarit. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se qeveria amerikane do të vazhdojë që të punojë për t’i garantuar sigurinë dhe kthimin e ushtarit në familjen e tij.

Motivi për kalimin e kufirit nga ushtari është i panjohur. Një dëshmitare, që ishte pjesë e shëtitjes civile ku ndodhej ushtari amerikan, tha se ajo fillimisht kishte menduar se turri i tij ishte njëfarë marifeti, derisa dëgjoi një ushtar amerikan në patrullë duke bërtitur e duke kërkuar nga të tjerët që ta ndalnin atë që po vraponte. Megjithatë, ushtari King e kishte kaluar kufirin brenda disa sekondave.

Ushtari 23-vjeçar ishte duke shërbyer në Kore Jugore. Ai mund të shkarkohej nga ushtria dhe mund të ballafaqohej me ndëshkime, pasi ishte dënuar për krime në Kore Jugore.

Në shkurt, një gjykatë në Seul e ndëshkoi atë me pesë milionë uonë (3.950 dollarë) për sulm ndaj një personi të paidentifikuar dhe për dëmtim të një veture të policisë në Seul në tetorin e viti të kaluar.

Lajme të ngjashme