ShBA-ja thotë se Koreja Veriore i ka kthyer përgjigje OKB-së për ushtarin amerikan
Pentagoni tha të martën se Koreja Veriore i ka kthyer një përgjigje shumë të shkurtër Komandës së Kombeve të Bashkuara për një ushtar amerikan, i cili më 19 korrik e kaloi kufirin nga Koreja Jugore në Korenë Veriore dhe u dërgua menjëherë në ndalim.
Megjithatë, zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, tha se Koreja Veriore vetëm vërtetoi se e kishte marrë kërkesën e Komandës së OKB-së për informata rreth ushtarit Travis King, por nuk kishte ofruar të dhëna të hollësishme për të, raporton agjencia “Reuters”.
“Mund të konfirmoj se RPDK-ja (Republika Popullore Demokratike e Koresë, emri zyrtar i Koresë Veriore) i është përgjigjur Komandës së Kombeve të Bashkuara, por nuk kam ndonjë përparim të rëndësishëm për ta lexuar”- tha zyrtari amerikan në një konferencë për gazetarë.
Kur iu bë presion për të treguar më shumë, ai tha se përgjigjja e Koresë Veriore për Komandën e OKB-së ishte vetëm “një njohje” e kërkesës së Komandës së OKB-së.
Ushtari King vrapo drejt territorit të Koresë Veriore më 18 korrik, përderisa ishte pjesë e një shëtitjeje në Zonën e Demilitarizuar në kufirin mes dy Koreve, duke i shkaktuar edhe një telash ShBA-së në marrëdhëniet e tensionuara të saj me Korenë Veriore.
Gjatë qëndrimit në Kore Jugore, ushtari amerikan ishte ballafaquar me dy akuza për sulm dhe ishte deklaruar fajtor për një rast të sulmit dhe për shkatërrim të pronës publike për dëmtimin e një veture policie, sipas dokumenteve të gjykatës.
Nga 24 maji deri më 10 korrik, ai kishte vuajtur dënim me punë të rëndë në një qendër korrektuese në vend të pagimit të një gjobe. Pas lirimit nga burgu, ushtari kishte qëndruar në një bazë amerikane në Kore Jugore për një javë, sipas agjencisë së lajmeve, “Yonhap”.
Disa zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se ushtari do të ballafaqohej me masa disiplinore pas kthimit në Teksas të ShBA-së.

