ShBA-ja thotë se është vrarë nga Izraeli udhëheqësi i lartë i Hamasit, Marwan Issa
Këshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, ka thënë se nënkomandanti ushtarak i Hamasit, Marwan Issa, ka vdekur nga një sulm ajror izraelit.
Nëse vdekja e tij vërtetohet, Issa do të ishte udhëheqësi më i lartë i këtij grupi që vdes që nga fillimi i luftës më 7 tetor, raporton televizioni BBC.
Hamasi nuk i ka komentuar raportimet për vdekjen e udhëheqësit të lartë. Burimet mediale izraelite kanë raportuar se Issa u vra nga një sulm ndaj një kompleksi tunelesh në kampin e refugjatëve “Nuseirat” javën e kaluar në pjesën qendrore të Gazës.
Nënkomandanti i krahut ushtarak të Hamasit – Brigadat “Izzedine al-Qassam” – konsiderohej si njëri nga personat më të kërkuar nga Izraeli. Bashkimi Evropian, që e ka vënë udhëheqësin e Hamasit në listën e vet të zezë të terroristëve, e ka lidhur atë drejtpërdrejt me sulmin e 7 tetorit që la të vrarë përafërsisht 1.200 njerëz, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.
Ai ishte burgosur nga Izraeli për pesë vjet gjatë kryengritjes së parë palestineze dhe ishte ndaluar nga Autoriteti Palestinez më 1997 deri në fillimin e kryengritjes së dytë në vitin 2000.
Ushtria izraelite ka vrarë një numër të udhëheqësve të lartë të Hamasit nga 7 tetori. Udhëheqësi politik i Hamasit, Saleh al-Arouri, vdiq nga një shpërthim në periferinë jugore të Bejrutit, Ahiyeh. Izraeli konsiderohet gjerësisht përgjegjës për këtë sulm.
Sullivani tha se besohet që edhe udhëheqës të tjerë të Hamasit janë duke u fshehur, “me gjasë thellë në rrjetin e tuneleve të Hamasit” në Gaza.
Ai u zotua se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Izraelin në ndjekjen e vazhdueshme të udhëheqësve të lartë të Hamasit, duke shtuar: “Drejtësia do të vijë për ta, gjithashtu.”
Megjithatë, Sullivani gjithashtu theksoi se presidenti amerikan, Joe Biden, e kishte shprehur alarmimin e tij në rritje rreth shtimit të numrit të viktimave civile në Gaza gjatë një telefonate me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu – biseda e tyre e parë në një muaj.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përsëriti përkushtimin e tij ndaj Izraelit dhe ndaj “të drejtës së tij për t’iu vënë pas Hamasit”, sipas Sullivanit, por presidenti gjithashtu tha se do të ishte “gabim” që ushtria izraelite ta sulmojë qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku vlerësohet se një milion refugjatë janë vendosur gjatë luftës.
Sulmi “do të çonte në më shumë vdekje të civilëve të pafajshëm, do ta përkeqësonte krizën humanitare tashmë të llahtarshme, do ta thellonte anarkinë në Gaza dhe do ta izolonte më tej Izraelin ndërkombëtarisht” – u tha gazetarëve këshilltari amerikan.
Më shumë se 31 mijë palestinezë kanë vdekur që nga fillimi i luftës më 7 tetor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që udhëhiqet nga Hamasi. Numri i viktimave ka nxitur dënim nga komuniteti ndërkombëtar dhe ka armiqësuar shumë prej aleatëve të Izraelit.