ShBA-ja thotë se ende ka boshllëqe mes Izraelit e Hamasit për armëpushim
Zëdhënësi për siguri kombëtare i ShBA-së, John Kibry, ka thënë se ende mbeten boshllëqe mes Izraelit dhe Hamasit, përderisa bisedimet për armëpushim po vazhdojnë në Kajro.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, Kirby tha se drejtori i CIA-s, Bill Burns, dhe emisari i ShBA-së për Lindje të Mesme, Brett McGurk, ndodhen në Egjipt, ku u takuan me zyrtarë egjiptianë, izraelitë e jordanezë të hënën.
Ai shtoi se do të ketë vazhdim të diskutimeve në ditët e ardhshme, raporton gazeta “The Guardian”.
“Kemi punuar në këtë shumë, shumë fort dhe ende janë disa boshllëqe që mbeten në dy anët e pozicioneve, por ne nuk do të kishim dërguar një ekip atje, nëse nuk do të mendonim se nuk do të kishim një përpjekje këtu. Po mundohemi që t’i mbyllim ato boshllëqe sa më mirë që mundemi” – tha Kirby.
Megjithatë, Hamasi e ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për pengim të bisedimeve për paqe dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve, sipas agjencisë AFP.
Në një deklaratë, Hamasi tha se kryeministri izraelit “vazhdon që të vendosë më shumë pengesa para bisedimeve”.
Ky grup e akuzoi Netanyahun për eskalim të “agresionit dhe krimeve të tij kundër njerëzve tanë” në ato që thanë se ishin “përpjekje për t’i zhvendosur me forcë ata me qëllim të pengimit të të gjitha përpjekjeve për të arritur një marrëveshje”.
Ndërkohë banorët e Gazës kanë raportuar për njërin prej sulmeve më të rënda nga forcat izraelite që nga 7 tetori, duke e nxitur ikjen e mijëra palestinezëve nga një zonë tashmë e sulmuar në javët e hershme të luftës 9-mujore.