ShBA-ja thotë se do të vazhdojë që ta përkrahë ushtarakisht Izraelin
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që ta përkrahin Izraelin me asistencë ushtarake, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, pavarësisht nga refuzimi i qeverisë izraelite për të hapur më shumë pikëkalime për futjen e ndihmave humanitare në Gaza.
“Ne vazhdojmë që ta përkrahim fushatën e Izraelit për t’u siguruar se sulmet e 7 tetorit nuk mund të përsëriten. Ne i kemi ofruar asistencë ushtarake Izraelit, sepse ajo është në përputhje me qëllimin” – tha Milleri në një konferencë për gazetarë, raporton televizioni CNN.
Ai shtoi se “udhëheqësia e Hamasit, që e planifikoi dhe bëri komplot për 7 tetorin, vazhdon që të jetë në arrati brenda Gazës” dhe se “ata vazhdojnë që të paraqesin rrezik ndaj civilëve të pafajshëm brenda Izraelit”.
“Ne e përkrahim fushatën ushtarake legjitime të Izraelit në përputhje me të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe për këtë arsye vazhdojmë që t’i përkrahim ata ushtarakisht” – shtoi zëdhënësi amerikan.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është ballafaquar me kritika për përkrahjen e vazhdueshme ushtarake të saj për qeverinë izraelite përballë akuzave për abuzim të të drejtave të njeriut dhe për sugjerimin e vazhdueshëm se nuk do ta përdorë asistencën si mjet për t’i bërë presion Qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu të Izraelit.
Milleri tha të hënën se ka më shumë që qeveria izraelite “mund të bëjë dhe më shumë që ata duhet të bëjnë” për ta adresuar krizën humanitare në terren.