ShBA-ja thotë në OKB se do t’i privojë nga burimet Maduron dhe kartelet e drogës - NACIONALE

ShBA-ja thotë në OKB se do t’i privojë nga burimet Maduron dhe kartelet e drogës

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara thanë të martën në Kombet e Bashkuara se do të vendosin dhe zbatojnë sanksione “në nivelin maksimal” për ta privuar nga burimet presidentin venezuelas, Nicolas Maduro. Rusia paralajmëroi se në radhë mund të jenë shtete të tjera të Amerikës Latine.

“Kërcënimi i vetëm më serioz ndaj kësaj hemisfere, vetë fqinjësisë sonë dhe Shteteve të Bashkuara, është nga grupet terroriste e kriminale transnacionale” – tha në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ambasadori i ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

ShBA-ja e ka shtuar praninë e vet ushtarake në rajon dhe Trumpi ka njoftuar një bllokadë ndaj të gjitha anijeve që janë subjekte të sanksioneve amerikane. Deri më tani këtë muaj, Roja Bregdetare e ShBA-së ka ndaluar dy anije transportuese në Detin e Karaibeve, të dyja të ngarkuara me naftë të papërpunuar nga Venezuela. Roja Bregdetare gjithashtu i është vënë pas një anije të tretë boshe që po i afrohet bregdetit venezuelas.

“Realiteti i situatës është që anijet transportuese të sanksionuara të naftës operojnë si linjë jete parësore ekonomike për Maduron dhe regjimin e tij jolegjitim. Anijet e sanksionuara gjithashtu e financojnë grupin narko-terrorist, Cartel de Los Soles” – deklaroi ambasadori amerikan.

Uashingtoni muajin e kaluar e futi këtë grup në listën e organizatave të huaja terroriste për shkak të rolit të dyshuar në importimin e drogës ilegale në ShBA. Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Maduron se e udhëheq këtë grup. Qeveria e Venezuelës e ka quajtur “qesharak” këtë veprim, pasi pretendon se grupi është “jo-ekzistent”.

“Kjo ndërhyrje, e cila është duke u shpalosur, mund të bëhet shabllon për akte force në të ardhmen kundër shteteve të Amerikës Latine” – tha në Këshillin e Sigurimit ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, duke cituar një dokument të strategjisë të lëshuar rishtazi nga Trumpi, në të cilin thuhet se ShBA-ja do ta imponojë mbizotërimin e saj në Hemisferën Perëndimore.

Ambasadori amerikan foli pas homologut rus, por nuk iu kundërpërgjigj drejtpërdrejt komenteve të tij.

Kina i bëri thirrje ShBA-së që “menjëherë t’i ndalë veprimet përkatëse dhe ta shmangë përshkallëzimin e mëtejmë të tensioneve”, sipas deklaratës së zëvendësambasadorit kinez në OKB, Sun Lei./Nacionale

Lajme të ngjashme