ShBA-ja “shpërblen” Egjiptin me ndihma ushtarake, ia vlerëson ndërmjetësimin rreth Gazës - NACIONALE

ShBA-ja “shpërblen” Egjiptin me ndihma ushtarake, ia vlerëson ndërmjetësimin rreth Gazës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit Joe Biden të ShBA-së do t’ia dërgojë Egjiptit pakon e plotë të ndihmës ushtarake me vlerë të 1,3 miliard dollarëve, duke i anashkaluar kushtet e vendosura nga Kongresi për një pjesë të kësaj shume për shkak të shqetësimeve rreth të drejtave të njeriut, në kohën kur Kajroja e ka luajtur rolin e ndërmjetësit në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Departamenti i Shtetit tha se sekretari Antony Blinken e shfrytëzoi autoritetin e tij për t’i anashkaluar kushtet për ndihmat me vlerën e 225 milionë dollarëve, duke thënë se kjo lëvizje është e rëndësishme për stabilitetin në Lindje të Mesme dhe për aftësinë e Egjiptit për të ndihmuar rreth prioriteteve të sigurisë kombëtare të ShBA-së, përfshirë përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza dhe për shtim të ndihmave humanitare për palestinezët në enklavë, raporton agjencia “Associated Press”.

Blinkeni i tha gjithashtu Kongresit këtë javë se Egjipti ka shënuar përparim rreth lirimit të të burgosurve politikë dhe parandalimit të ngacmimit të amerikanëve, duke i plotësuar standardet për 95 milionë dollarë asistencë.

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu janë duke vazhduar një dialog të rreptë me qeverinë egjiptiane për rëndësinë e përmirësimeve konkrete për të drejtat e njeriut, që janë jetike për mbajtjen e partneritetit më të fuqishëm të mundshëm ShBA – Egjipt” – tha Departamenti i Shtetit.

Ky vendim e tregon peshën që i është dhënë rolit të Egjiptit si ndërmjetës kyç në konfliktin që rrezikon të shndërrohet në një luftë rajonale dhe që paraqet rreziqe për ShBA-në, edhe pse vazhdojnë dyshimet se qeveria e presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi, qëndron prapa një vargu të abuzimeve të të drejtave të njeriut.

Departamenti i Shtetit dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se në këto dyshime përfshihen shumë raporte të besueshme për vrasje arbitrare, torturim dhe ndalim si dhe shtypje sistematike të shoqërisë civile, mediave të lira dhe të shprehurit e lirë. Vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë pezulloi 85 milionë dollarë ndihma për Egjiptin, ndërsa më 2022 130 milionë dollarë.

Organizata “Human Rights Watch” ka thënë se administrate e el-Sisit ka liruar qindra të ndaluar, por ka arrestuar shumë të tjerë dhe se mijëra gazetarë, aktivistë dhe të tjerë ende ndodhen prapa grilave./Nacionale

Lajme të ngjashme