ShBA-ja rikthehet në Hënë për herë të parë pas më shumë se pesë dekadave - NACIONALE

ShBA-ja rikthehet në Hënë për herë të parë pas më shumë se pesë dekadave

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në sipërfaqen e Hënës për herë të parë në më shumë se 50 vjet, pasi një anije kozmike e ndërtuar nga një kompani private dhe e quajtur “Odysseus” bëri ulje afër polit jugor të Hënës.

Në kohën e festimeve për atë që NASA e çmoi si “një hap i madh përpara”, nuk pati konfirmim të menjëhershëm për statusin ose gjendjen e sondës, përpos që ajo kishte arritur në zonën e planifikuar të lëshimit, në kraterin “Malapert A”, raporton gazeta “The Guardian”.

Më vonë, kompania me seli në Teksas, “Intuitive Machines”, e cila e ndërtoi anijen e parë kozmike që u lëshua në Hënë, tha se pajisja ishte “në pozitë vertikale dhe po fillon që të dërgojë të dhëna”.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin X, kompania shtoi se menaxherët e misionit “po punonin që t’i shkarkojnë fotografitë e para nga sipërfaqja hënore”.

I ashtuquajturi “lëshim i butë” të enjten, për të cilin themeluesi i kompanisë, Steve Altemus, kishte thënë se ka vetëm 80 për qind gjasa për sukses, ishte planifikuar për të hapur një epokë të re të eksplorimit hënor, përderisa NASA po punon drejt një misioni të planifikuar për në fund të vitit 2026, me të cilin do të dërgohen njerëz në Hënë.

“Mirë se vini në Hënë” – tha Altemusi, kur përfundimisht u konfirmua lëshimi i pajisjes, në orën 17 e 23 minuta, rreth dhjetë minuta pas kohës kur “Odysseus” ishte pa kontakt.

Kjo është hera e parë që një anije kozmike amerikane lëshohet në Hënë që nga misioni “Apollo 17” i vitit 1972 dhe vizita e parë nga një pajisje komerciale pas dështimit të “Peregrine One” muajin e kaluar, bashkëpunim tjetër mes agjencisë hapësinore dhe një kompanie private, “Astobotic”.

“Sot, për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, ShBA-ja është rikthyer në Hënë. Sot, për herë të parë në histori të njerëzimit, një kompani komerciale, një kompani amerikane, e nisi dhe e udhëhoqi udhëtimin atje lart” – tha Bill Nelson, administrator i NASA-s.

Lajme të ngjashme