ShBA-ja pritet ta ekzekutojë të enjten të dënuarin e dytë me vdekje me gaz azoti
Alabama e Shteteve të Bashkuara planifikon që të enjten ta ekzekutojë me gaz azoti vrasësin e dënuar me vdekje, Alan Miller. Ky do të ishte rasti i dytë i ekzekutimit me asfiksi nga gazi i azotit pas rastit të parë në janar.
Miller, 65 vjeç, është shpallur fajtor për vrasjen e tre burrave në vitin 1999, përfshirë dy kolegë pune, gjatë një sulmi që e kishte kryer në dy zyra në qytetin Pelham, raporton agjencia “Reuters”.
Në janar, Alabama e ekzekutoi Kenneth Smith-in, gjithashtu i dënuar për vrasje, me asfiksi nga azoti, duke e shënuar rastin e parë të përdorimit të një metode të re për ekzekutimin e të dënuarve që nga fillimi i përdorimit të injeksioneve vdekjeprurëse në ShBA para katër dekadave.
Autoritetet në Alabama e kanë cilësuar protokollin e ri si metodën “më pa dhimbje” të ekzekutimit deri më tani dhe kishin parashikuar që Smith-i do ta humbte vetëdijen dhe do të ngulfatej brenda pak sekondave pas fillimit të rrjedhjes së azotit të pastër përmes një maske me respirator ngjitur në fytyrën e tij.
Megjithatë, nuk kishte ndodhur ashtu. Disa dëshmitarë, përfshirë pesë gazetarë dhe anëtarë të familjes së tij, e panë Smith-in duke u munduar të ngrihej dhe duke pësuar konvulzione pas fillimit të qarkullimit të azotit dhe dukej sikur u nevojitën disa minuta që ai të mbetej pa vetëdije.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, demokrat që kishte premtuar se do ta shfuqizonte dënimin me vdekje, tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” me metodën e re të ekzekutimeve. Metoda është dënuar edhe nga zyrtarë të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, të cilët kanë thënë se ajo përbën torturim ose trajtim mizor e çnjerëzor.
Pas ekzekutimit të Smith-it, Milleri e paditi Alabamën për shkak të frikës se metoda e ekzekutimit me asfiksi do të mund të shkelte një ndalim kushtetues të ndëshkimeve mizore ose të pazakonshme. Ai ka kërkuar garanci që maska t’i vendoset mirë dhe bllokuesi i saj të testohet për t’u siguruar që të mos hyjë oksigjeni, që do ta zgjaste vdekjen e tij ose që do ta shkaktonte dështimin e ekzekutimit e do ta linte atë gjallë, por me dëme në tru.
Çështja është përmbyllur me një marrëveshje konfidenciale dhe ekzekutimi i të dënuarit është caktuar për në orën 18:00 në Atmore të Alabamës.
Në janar të këtij viti, gazeta “Nacionale” kishte publikuar një artikull ku jepej rrëfimi i një dëshmitari të ekzekutimit të parë me gaz azoti. Për ta lexuar artikullin, klikoni KËTU.