ShBA-ja pret përparim në bisedimet me Ukrainën, shpreson për paktin për mineralet
Shtetet e Bashkuara presin përparim substancial në bisedimet me Ukrainën këtë javë dhe shpresojnë se do të mund të nënshkruhet një marrëveshje për mineralet kritike, tha të hënën emisari i presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Negociatorët amerikanë pritet të takohen këtë javë me delegacionin ukrainas në Arabinë Saudite, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Mendoj se do të shkojmë atje me pritjen se do të bëjmë progres substancial” – tha emisari Witkoff në një intervistë për televizionin “Fox News”.
Kur u pyet nëse mendon që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të kthehet në ShBA për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet këtë javë, Witkoff-i tha: “Unë vërtet kam shpresë. Të gjitha shenjat janë shumë, shumë pozitive.”
Më tej, amerikani tha se në mesin e temave të rëndësishme në tavolinën e bisedimeve do të jenë protokollet e sigurisë për ukrainasit si dhe çështjet territoriale.
Edhe ndarja e të dhënave të inteligjencës do të diskutohet në takimet e kësaj jave, tha ai para se të nisej për në Lindjen e Mesme për bisedime rreth Gazës.
Megjithatë, Witkoff-i bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk i ndërprenë të dhënat e inteligjencës për çfarëdo veprimi mbrojtës për të cilin kishin nevojë ukrainasit.