ShBA-ja pranon për herë të parë se i ka dhuruar Ukrainës raketa anti-radar
Pentagoni njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës raketa anti-radar që aeroplanët e saj t’i vënë në shënjestër sistemet ruse të radarëve. Kjo është hera e parë që Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së pranon se ka dërguar këso raketash në Ukrainë.
Nënsekretari për politika të mbrojtjes, Colin Kahl, tha në një konferencë për gazetarë se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar “një numër” raketash pa saktësuar se sa ose kur janë dërguar ato. Ai gjithashtu nuk tregoi se çfarë lloji i raketave kundër rreze i janë dhuruar Ukrainës. Sidoqoftë, një zyrtar i mbrojtjes tha se Ukrainës i janë dhuruar raketa të tipit AGM-88 HARM, shkruan CNN.
Këto raketa kanë rreze veprimi prej mbi 48 kilometrave, sipas Forcave Ajrore të ShBA-së, duke i bërë ato ndër armët me rrezen më të gjatë që i janë dhuruar Ukrainës. Këto raketa mund të përdoren për t’i vënë në shënjestër sistemet kundërajrore ruse të radarëve, si sistemi S-400, që ua kanë vështirësuar shumë operimin forcave ajrore ukrainase në pjesë të mëdha të hapësirës ajrore të vendit. Këto raketa mund t’i vënë në shënjestër edhe radarët rusë anti-bateri, që Rusia i përdor për ta vënë në shënjestër artilerinë ukrainase.

“Në aspektin afatshkurtër, kemi bërë shumë gjëra që ta bëjmë forcën ekzistuese ajrore ukrainase që të qëndrojë në ajër dhe të jetë më e aftë”, tha Kahl. Ai i përmendi pjesët rezervë për aeroplanët “Mig-29”, për të cilët ShBA-ja ka dhënë ndihmë që t’i dërgohen Ukrainës. Pastaj, ai i përmendi raketat, duke thënë se ato “mund të kenë efekte ndaj radarëve rusë dhe gjërave të tjera”.
Ukraina nuk ka deklaruar publikisht se ka pranuar ose ka përdorur raketa të tipit HARM. Sidoqoftë, ditëve të fundit ka pasur raportime ku shfaqen mbetje të krahut të një rakete të këtij lloji, që kishte vënë në shënjestër një pozicion rus në Ukrainë.
Kahl njoftoi për dhurimin e këtyre raketave në një konferencë rreth pakos së fundit të armëve prej 1 miliard dollarësh që ShBA-ja do t’ia dhurojë Ukrainës. Pakoja është e përqendruar te ofrimi i municionit për disa sisteme kyçe të armëve që Shtetet e Bashkuara tashmë ia kanë dhuruar Ukrainës. Këtu përfshihen sistemet raketore HIMARS, që Ukraina i ka përdorur në mënyrë efektive kundër pikave ruse të komandës, dhe obusët M777, që kanë qenë pjesë kritike e luftimeve në rajonin Donbas.
Sipas zyrtarit amerikan, Rusisë i janë vrarë ose plagosur përafërsisht 70.000 deri në 80.000 ushtarë deri më tani. “Kjo shifër mund të jetë pak më e ulët, pak më e lartë, por mendoj se është e përafërt”, tha ai, duke shtuar se Rusia gjithashtu ka humbur rreth 3.000 deri në 4.000 automjete të blinduara.
Me pakon e fundit të armëve, Shtetet e Bashkuara e kanë çuar në 9.1 miliardë dollarë asistencën e përgjithshme ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës në shkurt./Nacionale