ShBA-ja po përgatit draft të aktakuzës ndaj presidentes së përkohshme të Venezuelës - NACIONALE

ShBA-ja po përgatit draft të aktakuzës ndaj presidentes së përkohshme të Venezuelës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke ndërtuar në heshtje një rast gjyqësor kundër presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, përfshirë përgatitjen e një drafti të aktakuzës, njëra prej disa veglave që po i përdor Shtëpia e Bardhë për ta përforcuar pozicionin në raport me Karakasin, sipas katër personave të afërt me çështjen.

Prokurorët federalë kanë bërë bashkë akuza të mundshme për korrupsion dhe pastrim parash dhe i kanë bërë të ditur zonjës Rodriguez se ajo është në rrezik nga ndjekja penale, nëse nuk vazhdon që t’u përmbahet kërkesave të Trumpit pas rrëzimit të ish-presidentit Nicolas Maduro në janar, thanë burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo agjenci thotë se nuk i ka parë akuzat në formë të shkruar duke u përgatitur kundër Rodriguezit, por bisedoi me katër persona me njohuri rreth çështjes.

Burimet thanë se draftin e akuzave është duke e përgatitur Zyra e Prokurorit në Miami, duke shtuar se dokumenti ka evoluuar gjatë dy muajve të kaluar. Hetimi përqendrohet te përfshirja e dyshimtë e Rodriguezit në pastrimin e fondeve nga kompania shtetërore venezuelase e naftës, PDVSA, thanë tri prej burimeve, dhe mbulon aktivitete në periudhën nga viti 2021 deri më 2025, thanë dy prej burimeve.

Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së refuzoi që të jepte koment për artikullin. Pas publikimit të një përmbledhjeje të raportit nga “Reuters World News” në mëngjes, zëvendëskryeprokurori amerikan, Todd Blanche, në rrjetin X shkroi: “Lajm tërësisht i rremë nga Reuters. Nuk jam i sigurt se si lajme të tilla të rreme e kalojnë rrugën deri te botimi.”

Në një deklaratë, agjencia “Reuters” tha: “Ne i qëndrojmë raportimit tonë se Departamenti i Drejtësisë është duke përgatitur një aktakuzë kundër Delcy Rodriguezit, presidentes së re të Venezuelës”.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigjën pyetjeve të agjencisë “Reuters” rreth këtij artikulli.

Përpos përgatitjes së draftit të aktakuzës, zyrtarët amerikanë kanë paraqitur te Rodriguezi një listë me të paktën shtatë ish-zyrtarë të lartë të partisë, bashkëpunëtorë dhe anëtarë të familjeve të tyre që ShBA-ja dëshiron të arrestohen nga Venezuela ose të mbahen në ndalim për ekstradim të mundshëm, thanë katër burime.

Publikisht, presidenti Trump e ka vlerësuar pozitivisht zonjën Rodriguez për bashkëpunimin me vendin e tij, ndërsa Venezuelën para pak ditëve në një fjalim e quajti “mike dhe partnere e jona e re”./Nacionale

Lajme të ngjashme