ShBA-ja po e “shkatërron” rendin botëror, thotë ambasadori ukrainas në Britani - NACIONALE

ShBA-ja po e “shkatërron” rendin botëror, thotë ambasadori ukrainas në Britani

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara po e “shkatërrojnë” rendin e vendosur botëror, ka thënë ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, Valerii Zaluzhnyi.

Duke e kritikuar mënyrën se si administrata e presidentit Donald Trump po e trajton politikën e jashtme, ambasadori ukrainas në Londër tha se Shtëpia e Bardhë “e ka vënë në pikëpyetje unitetin e tërë botës perëndimore”, raporton televizioni BBC.

Komentet e tij vijnë në kohën kur duket se po ulen tensionet mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij amerikan pas një përplasjeje publike mes dy krerëve të shteteve në Zyrën Ovale të premten.

Megjithatë, komentet e ambasadorit ukrainas në Londër të enjten në Catham lënë të kuptohet se ende ka pakënaqësi rreth veprimeve të Shteteve të Bashkuara.

“Ne shohim se nuk është vetëm boshti i së keqes dhe Rusia që po mundohen ta rishikojnë rendin botëror, por ShBA-ja përfundimisht po e shkatërron këtë rend” – tha Zaluzhnyi.

Emisari ukrainas shtoi se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë – kjo e fundit që “drejtohet nga një kriminel lufte”, siç tha ai – tregojnë se Shtëpia e Bardhë po bën “hapa drejt Kremlinit, në përpjekje për t’i takuar ata në gjysmë të rrugës”.

Zaluzhnyi, i cili u emërua ambasador i Ukrainës në Londër vitin e kaluar pas tre vjetëve si komandant i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjithashtu la të kuptohej se NATO-ja mund të pushojë së ekzistuari si rezultat i ndryshimit të pozicionit të Uashingtonit dhe paralajmëroi se caku i ardhshëm i Moskës “do të mund të ishte Evropa”./Nacionale

Lajme të ngjashme