ShBA-ja ngre aktakuzë për krime lufte ndaj dy ish-zyrtarëve sirianë të inteligjencës
Dy ish-zyrtarëve të lartë sirianë të inteligjencës u është ngritur aktakuzë për krime lufte nën dyshimin për torturim të civilëve amerikanë dhe të tjerëve, të cilët vlerësoheshin si armiq të Qeverisë siriane dhe ishin mbajtur në një burg ushtarak, njoftoi Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Prokurorët amerikanë thonë se dy zyrtarët në ish-regjimin e presidentit Bashar al-Assad i kanë mbikëqyrur operacionet në qendrat e ndalimit në Aeroportin Ushtarak të Mezzeh-ut, afër Damaskut, ku të ndaluarit janë rrahur, janë sulmuar me elektroshok, janë varur për kyçe të duarve, janë djegur me acid dhe u janë hequr thonjtë e gishtave të këmbëve, raporton televizioni CNN.
Krimet e pretenduara kanë ndodhur gjatë luftës civile që e kishte kapluar vendin për më shumë se një dekadë dhe që kulmoi me rënien e jashtëzakonshme të regjimit të Assadit në fundjavën që shkoi.
Ish-oficerët e inteligjencës së forcave ajrore siriane, Jamil Hassan, 72 vjeç, dhe Abdul Salam Mahmoud, 65 vjeç, “krijuan atmosferë terrori në burgun Mezzeh”, thanë prokurorët amerikanë.
Ata ngarkohen me akuzat për konspiracion për të kryer krime lufte përmes trajtimit mizor dhe çnjerëzor, sipas aktakuzës së paraqitur në një gjykatë federale në Chicago. Departamenti i Drejtësisë tha se janë lëshuar urdhërarreste për dy ish-zyrtarët sirianë, të cilët ndodhen në arrati.
“Autorët e mizorive të regjimit të Assadit kundër qytetarëve amerikanë dhe civilëve të tjerë gjatë luftës civile siriane duhet të përgjigjen për krimet e tyre të neveritshme” – tha në një deklaratë prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland.
“Departamenti i Drejtësisë ka kujtesë të gjatë dhe nuk do të ndalet kurrë së punuari për t’i gjetur dhe për t’i sjellë para drejtësisë ata që i torturuan amerikanët” – shtoi ai.
Aktet e pretenduara të torturës kanë ndodhur nga janari i vitit 2012 deri në korrikun e vitit 2019 kundër atyre që perceptoheshin si armiq të regjimit të Assadit – ku përfshiheshin kryesisht shtetas sirianë, por edhe të huaj dhe persona me shtetësi të dyfishtë, përfshirë qytetarë amerikanë, thuhet në aktakuzë./Nacionale