ShBA-ja ndëshkon një kompani me 300 milionë dollarë për tregtinë me “Huawei”-n e Kinës
Autoritetet amerikane kanë shqiptuar gjobë prej 300 milionë dollarësh për kompaninë e teknologjisë, “Seagate”, për shkeljen e masave për kontrollimin e eksportit të prodhimeve për kompaninë “Huawei” të Kinës.
Departamenti i Tregtisë tha se kompania “Seagate Technology” i ka dërguar “Huawei”-t mallra me vlerë të më shumë se 1,1 miliard dollarësh pas vendosjes së masave për kontrollimin e eksportit, raporton televizioni BBC.
Ky dënim është masa më e re e autoriteteve amerikane për ta ndalur shitjen e teknologjisë së avancuar në Kinë. ShBA-ja ka thënë se pajisje të tilla mund të përdoren nga ushtria kineze.
Sipas Departamentit të Tregtisë, kompania “Seagate” ka dërguar 7,4 milionë “drivera” te kompania “Huawei” për rreth një vit pas vendosjes së rregullës nga administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Ky institucion tha se dy furnizuesit e tjerë kryesorë të “Huawei”-t i kishin ndërprerë eksportet për në Kinë në përputhje me ligjin e ri.
Dënimi do të paguhet në pjesë prej 15 milionë dollarësh për çdo tre muaj gjatë pesë viteve të ardhshme, tha kompania “Seagate”.
Kompania “Huawei” ishte vënë në listën e kufizimeve tregtare të ShBA-së më 2019 si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për pakësimin e shitjes së mallrave amerikane në këtë kompani për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.
Uashingtoni ka thënë se kjo teknologji mund të përdoret nga ushtria kineze për ta përkrahur abuzimin e të drejtave të njeriut ose për ta rrezikuar sigurinë kombëtare të ShBA-së në mënyra të tjera. Autoritetet kineze i kanë mohuar disa herë këto akuza.
Viteve të fundit, shumë shtete perëndimore kanë ndërmarrë masa kundër kompanive kineze të teknologjisë për shkak të frikës për sigurinë.

