ShBA-ja ndan 30 milionë dollarë për Fondacionin Humanitar të Gazës
Shtetet e Bashkuara do t’i japin 30 milionë dollar një grupi humanitar kundërthënës që po shpërndan ndihma në Gazën e rrënuar nga lufta pavarësisht nga shqetësimi në mesin e disa zyrtarëve amerikane për operacionin dhe rreth vrasjes së palestinezëve afër qendrave të shpërndarjes, sipas katër burimeve dhe një dokumenti që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.
Uashingtoni për një kohë të gjatë e ka mbështetur në aspektin diplomatik Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF), i cili përdor kompani private ushtarake dhe të logjistikës nga ShBA-ja për t’i dërguar ndihmat në enklavë për t’u shpërndarë në ato që quhen qendra të sigurta.
Sipas një dokumenti të rishikuar nga agjencia “Reuters”, 30 milionë dollar si grant nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e ShBA-së (USAID) u autorizuan të premten sipas një “direktive prioritare” nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit. Dokumenti tregon se tashmë është bërë një pagesë fillestare prej shtatë milionë dollarësh.
Shtetet e Bashkuara mund të miratojnë grante mujore shtesë prej 30 milionë dollarësh për Fondacionin Humanitar të Gazës, thanë dy prej burimeve, duke folur në kushte anonimiteti.
Shtëpia e Bardhë i drejtoi pyetjet për këtë çështje te Departamenti i Shtetit. Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Fondacioni Humanitar i Gazës refuzoi që t’i komentonte fondet nga ShBA-ja ose shqetësimet e disa zyrtarëve amerikanë për operacionin.
Ambasada e Izraelit në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth grantit 30-milionësh amerikan.
Përmes miratimit të këtyre fondeve për Fondacionin Humanitar të Gazës, burimet thanë se Departamenti i Shtetit e liroi fondacionin nga një proces auditimi që zakonisht kërkohet për grupet që marrin grante nga USAID-i për herë të parë. GHF-ja nuk i ka zbuluar publikisht financat e veta.
Një auditim i tillë “normalisht do të merrte shumë, shumë javë, nëse jo muaj”, tha një burim, ish-zyrtar i lartë amerikan.
Fondacioni Humanitar i Gazës gjithashtu u lirua nga vetingu shtesë që kërkohet për grupet që dhurojnë ndihma në Gaza për t’u siguruar që ato nuk kanë lidhje me ekstremizmin, thanë burimet./Nacionale