ShBA-ja mund të konfirmojë shkatërrimin e vetëm rreth një të tretës së arsenalit raketor të Iranit - NACIONALE

ShBA-ja mund të konfirmojë shkatërrimin e vetëm rreth një të tretës së arsenalit raketor të Iranit

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara mund të përcaktojnë me siguri se kanë shkatërruar vetëm rreth një të tretën e arsenalit të madh raketor të Iranit, kur lufta amerikano-izraelite ndaj këtij shteti po i afrohet një muaji të plotë, sipas pesë personave të afërt me inteligjencën amerikane.

Statusi i një të trete tjetër është më pak i qartë, por bombardimet me gjasë i kanë dëmtuar, shkatërruar ose varrosur ato raketa në tunele dhe bunkerë nëntokësorë, thanë katër prej burimeve. Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të të dhënave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Njëri nga burimet tha se të dhënat e inteligjencës janë të ngjashme edhe për kapacitetin e dronëve të Iranit, duke thënë se ekziston njëfarë shkalle e sigurisë se rreth një e treta e tyre janë shkatërruar.

Ky vlerësim, për të cilin nuk është raportuar më parë, tregon se përderisa shumica e raketave të Iranit ose janë shkatërruar, ose janë të paqasshme, Teherani ende ka një inventar domethënës të raketave dhe mund të jetë në gjendje që t’i nxjerrë disa nga raketat e mbuluara me dhe ose raketat e dëmtuara porsa të ndërpriten luftimet.

Këto të dhëna të inteligjencës bien ndesh me komentet publike të presidentit amerikan, Donald Trump, të enjten se Iranit “i kanë mbetur edhe shumë pak raketa”. Ai gjithashtu u duk se e pranoi rrezikun nga raketat dhe dronët e mbetur iranianë ndaj ndonjë operacioni amerikan në të ardhmen për ta mbrojtur rrugën jetike detare, Ngushticën e Hormuzit.

Administrata e Trumpit ka thënë se synon që ta dobësojë ushtrinë iraniane duke ia fundosur anijet e forcës detare, duke ia shkatërruar kapacitetet raketorë dhe dronët dhe duke u siguruar që ky shtet të mos ketë kurrë armë bërthamore.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane ka thënë se operacioni “Furia Epike” është brenda afatit të planifikuar ose madje edhe para planeve të hartuara paraprakisht, para se të fillonin sulmet e ShBA-së e Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt./Nacionale

Lajme të ngjashme