ShBA-ja kryen sulme në Siri, pretendon se ka goditur objekte të përdorura nga Irani
Shtetet e Bashkuara thonë se kanë goditur dy objekte në lindje të Sirisë, duke pretenduar se ato përdoreshin nga forcat iraniane dhe grupet e lidhura me to.
Në një deklaratë, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha se “sulmet e sakta vetëmbrojtëse” u kryen për ta mbrojtur personelin amerikan në Irak dhe Siri dhe ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit nga grupet militante të përkrahura nga Irani, raporton televizioni BBC.
“Këto sulme të mbështetura nga Irani kundër forcave amerikane janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Irani dëshiron që ta fshehë dorën e tij dhe ta mohojë rolin në këto sulme kundër forcave tona. Nuk do t’i lejojmë”- tha zyrtari i lartë amerikan, duke shtuar se do të ndërmerren masa të mëtejme, nëse sulmet nga “prokurat e Iranit” kundër forcave amerikane vazhdojnë.
Sulmet e forcave amerikane ishin “të ndara dhe të dalluara nga konflikti i vazhdueshëm mes Izraelit e Hamasit dhe nuk përbëjnë ndryshim të qasjes sonë”- shtoi sekretari Austin, duke bërë thirrje kundër veprimeve që do ta eskalonin në konflikt më të gjerë.
Zyrtarët amerikanë thanë se me sulmet në Siri janë goditur objekte për mbajtjen e armëve dhe municionit, që përdoreshin nga forcat iraniane.
Raportohet se sulmet u kryen rreth orës 4 e 30 minuta në mëngjes sipas kohës lokale, afër qytezës Abu Kamal, në kufi me Irakun, përmes municionit preciz të hedhur nga aeroplanët luftarakë të tipit F-16.
Ende nuk dihet nëse ka pasur pasoja në njerëz nga këto sulme.
