ShBA-ja ka të dhëna të reja të inteligjencës për kapacitetet bërthamore të Rusisë në hapësirë
Shtetet e Bashkuara kanë të dhëna të reja të inteligjencës rreth kapaciteteve ushtarake ruse në lidhje me përpjekjet e këtij vendi për të dislokuar një sistem bërthamor anti-satelitor në hapësirë, sipas disa burimeve të afërta me agjencitë e inteligjencës.
Këto të dhëna u janë paraqitur Kongresit dhe aleatëve kyçë të ShBA-së dhe disa ligjvënës thonë se ato janë mjaftueshëm serioze, saqë duhet të deklasifikohen dhe të publikohen. Përderisa të dhënat janë shqetësuese, disa anëtarë të lartë të Kongresit, që u janë paraqitur këto informata, të mërkurën theksuan se kjo nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm ndaj ShBA-së ose interesave të saj, raporton televizioni CNN.
Sistemi mbetet në zhvillim dhe ende nuk është në orbitë, sipas tre zyrtarëve amerikanë të afërt me të dhënat e inteligjencës. Nuk është e qartë se sa larg ka përparuar kjo teknologji, tha njëri nga zyrtarët. Një zyrtar tjetër amerikan i tha televizionit CNN se kërcënimi nuk përfshin një armë që do të përdorej për të sulmuar njerëz.
Nuk qe menjëherë e qartë nëse të dhënat e inteligjencës iu referohen një kapaciteti anti-satelitor me energji bërthamore apo një kapaciteti të armatosur me armë bërthamore.
Përderisa anëtarët e Kongresit e minimizuan urgjencën e kërcënimit, një armë anti-satelitore e vendosur në orbitën rreth Tokës do të paraqiste rrezik të konsiderueshëm ndaj komandës bërthamore dhe satelitëve kontrollues të ShBA-së, tha Hans Kristensen, drejtor i Projektit për Informim Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë. Shtetet e Bashkuara mbështeten në satelitë të tillë – të cilët Kristenseni i quajti “thelbësorë” – për të siguruar kontroll të vazhdueshëm e pa pengesa ndaj arsenalit bërthamor të tyre.
Disa shtete të tjera kanë testuar armë anti-satelitore në të kaluarën, por ky [i Rusisë] do të ishte eskalim, tha Kristenseni, dhe ShBA-ja ka bërë të qartë se do të reagonte “shumë me forcë” ndaj një sulmi ndaj komandës së saj bërthamore ose satelitëve kontrollues.
Burimet refuzuan për të ofruar hollësi të mëtejme për të dhënat e inteligjencës ose për kapacitetet ruse që përshkruhen në to.
Megjithatë, me vite të tëra, Rusia ka ndjekur sisteme kundër-hapësinore të dizajnuara për t’i neutralizuar sistemet hapësinore ushtarake dhe komerciale të ShBA-së, sipas një raporti të vitit 2022 të Agjencisë për Inteligjencë të Mbrojtjes.