ShBA-ja ka rrëzuar një qeveri iraniane më parë – çfarë kishte ndodhur? - NACIONALE

ShBA-ja ka rrëzuar një qeveri iraniane më parë – çfarë kishte ndodhur?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Që nga koha kur Izraeli e filloi sulmin ndaj Iranit, janë shtuar thirrjet për ndryshimin e regjimit atje. Presidentia amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e kanë përmendur mundësinë që ta vënë në shënjestër liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Iranianët kanë përvojë të dorës së parë me ndryshimin e regjimit nga Shtetet e Bashkuara në vendin e tyre, raporton televizioni CNN. Ja çfarë kishte ndodhur.

Fushat e naftës: Në vitin 1953, Shtetet e Bashkuara kishin ndihmuar në organizimin e një puçi për ta rrëzuar nga pushteti kryeministrin iranian të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammad Mossadegh.

Ai ishte zotuar për t’i shtetëzuar fushat e naftës – lëvizje të cilën ShBA-ja dhe Britania e Madhe e shihnin si goditje serioze, duke e marrë parasysh varësinë e tyre nga nafta e Lindjes së Mesme.

Kulmi i Luftës së Ftohtë: Vendimi për t’i shtetëzuar fushat e naftës shihej si lëvizje e popullarizuar në Iran dhe fitore për Bashkimin Sovjetik atë kohë.

Fuqizimi i pushtetit të Shahut: Qëllimi i puçit ishte që të mbështetej monarku i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, për të qëndruar në pushtet si Shah i Iranit, dhe për të caktuar një kryeministër të ri, Gjeneral Fazlollah Zahedi-n.

Puçi: Para puçit, CIA, bashkë me Shërbimin Sekret të Inteligjencës të Britanisë, ndihmuan që ta ushqenin sentimentin kundër Moassadegh-ut duke e përdorur propagandën. Më 1953, CIA dhe inteligjenca britanike ndihmuan në bashkimin e forcave pro Shahut dhe organizuan protesta të mëdha kundër Mossadegh-ut, të cilave së shpejti iu bashkua edhe ushtria.

Paratë e gatshme nga ShBA-ja: Për t’i ofruar ca stabilitet Zahedit, kryeministrit të ri, CIA në mënyrë sekrete vuri në dispozicion 5 milionë dollarë brenda dy ditëve pas ardhjes së tij në pushtet, sipas disa dokumenteve.

Pranimi nga ShBA-ja: Më 2013 u publikuan disa dokumente të deklasifikuara të CIA-s, duke e konfirmuar për herë të parë përfshirjen e kësaj agjencie në puçin në Iran. Megjithatë, roli i ShBA-së ishte i ditur: Në vitin 2009, ish-presidenti Barack Obama e kishte pranuar përfshirjen e Uashingtonit në këtë puç.

U kthye bumerang: Pas rrëzimit të Mossadegh-ut, Shtetet e Bashkuara e fuqizuan mbështetjen e tyre për Pahlavin për të qeverisur si Shah. Iranianët nuk e duruan ndërhyrjen e jashtme, duke e nxitur sentimentin antiamerikan në vend për disa dekada.

Revolucioni Islamik: Shahu u bë aleat i ngushtë i ShBA-së. Megjithatë, në fundin e viteve të shtatëdhjeta, miliona iranianë dolën rrugëve për të protestuar kundër regjimit, të cilin e shihnin si të korruptuar e jolegjitim. Në protestat sekulare kundërshtohej autoritarizmi i tij, ndërsa protestuesit islamistë e kundërshtonin agjendën e tij modernizuese.

Shahu u rrëzua nga pushteti përmes revolucionit islamik të vitit 1979, me të cilin iu dha fund monarkisë së mbështetur nga Perëndimi dhe i cili e solli fillimin e pushtetit klerik dhe Republikës Islamike./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme