ShBA-ja, Japonia e Koreja Jugore zhvillojnë ushtrime të përbashkëta detare
Shtetet e Bashkuara, Japonia e Koreja Jugore kanë zhvilluar ushtrime të përbashkëta detare, në të cilat u përfshirë një aeroplanmbajtëse amerikane.
Kjo është shfaqja më e re e fuqisë kundër Koresë Veriore, shtet me armë bërthamore. Njoftimin për ushtrimet e dha të mërkurën ushtria e Koresë Jugore, përderisa tre diplomatë të lartë të këtyre shteteve pritet të takohen në Seul për të diskutuar rreth thellimit të mosmarrëveshjes me Penjanin, raporton agjencia “Associated Press”.
Ushtrimet në ujërat afër ishullit të Koresë Jugore, Jeju, vijnë në kohën e vazhdimit të provokimeve nga udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, përmes testimit të armëve dhe kërcënimeve që i kanë çuar tensionet rajonale në pikën më të lartë në vitet e fundit.
Në kuvendin e shtetit të tij këtë javë, Kimi deklaroi se Koreja Veriore do të heqë dorë nga zotimi i gjatë për ribashkimin paqësor me Korenë Jugore dhe dha urdhër për ndryshimin e kushtetutës që të hiqej ideja e një shtetësie të përbashkët mes dy vendeve të ndara nga lufta.
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore tha se ushtrimet detare trepalëshe, të cilat e përmbyllën programin e tyre treditor të mërkurën, përfshinë nëntë luftanije nga tri shtetet, si aeroplanmbajtësja amerikane “Carl Vinson”.
Qëllimet e këtyre ushtrimeve ishin forcimi i aftësive të përbashkëta të parandalimit dhe reagimit kundër kërcënimeve bërthamore, raketore e nënujore të Koresë Veriore si dhe trajnimi për parandalimin e transportit të paligjshëm detar të armëve të shkatërrimit në masë, tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore.