ShBA-ja, Japonia e Koreja e Jugut nisin ushtrime të përbashkëta ajrore e detare - NACIONALE

ShBA-ja, Japonia e Koreja e Jugut nisin ushtrime të përbashkëta ajrore e detare

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia të hënën filluan një ushtrim ajror dhe detar afër një ishulli jugkorean. Koreja e Veriut e ka dënuar këtë ushtrim, duke e quajtur “shfaqje të pamatur të forcës”.

Ushtrimi i quajtur “Avantazhi i Lirisë” e ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të kombinuara operacionale të këtyre tri vendeve në det, ajër dhe në hapësirën kibernetike dhe është i nevojshëm për t’iu kundërvënë rreziqeve bërthamore e raketore në rritje nga Koreja e Veriut, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut.

Komanda e Indo-Paqësorit e ushtrisë amerikane tha se në këtë ushtrim do të përfshihen asete ajrore të Marinës dhe të Forcës Ajrore të ShBA-së dhe do të kryhen ushtrime me raketa balistike dhe për mbrojtje ajrore, evakuime mjekësore dhe trajnime për operacione detare, duke e bërë atë “demonstrimin më të avancuar deri më tani të bashkëpunimit trepalësh në mbrojtje”.

Ushtrimi që do të mbahet afër ishullit jugor të Koresë së Jugut, Jeju, do të zgjatë deri të premten, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e cila ka autoritet në vendin e saj, e dënoi këtë ushtrim në mediat shtetërore, duke thënë se ai e shfaq qëndrimin konfrontues të tri vendeve në raport me shtetin e saj.

Ajo gjithashtu i kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për ushtrimin “Iron Mace”, qëllimi i të cilit është eksplorimi i mënyrave për integrimin e kapaciteteve bërthamore të Uashingtonit dhe kapaciteteve konvencionale të Seulit për ta përforcuar pozitën frenuese kundër kërcënimeve të Koresë së Veriut.

Në të kaluarën, Koreja e Veriut ka kryer testim të armëve ose demonstrime të tjera ushtarake si kundërpërgjigje ndaj ushtrimeve të vendeve rivale.

Qeveria e Kim Jong Un-it vazhdimisht i ka hedhur poshtë thirrjet e Seulit dhe Uashingtonit për rifillimin e bisedimeve që do ta kishin për qëllim tkurrjen dhe përfundimin e programeve të armëve, përderisa ai vazhdon që ta bëjë prioritet Rusinë si pjesë të një politike të jashtme që e ka për qëllim zgjerimin e lidhjeve me shtetet që konfrontohen me Shtetet e Bashkuara./Nacionale

Lajme të ngjashme